Mucunski: Nuk kemi plan B për BE-në, por nuk pranojmë zgjidhje me çdo kusht

Nga Xh M
675 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 korrik Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, e akuzoi qeverinë e kaluar se ka krijuar kaos duke pranuar obligime të pamenduara mirë dhe duke e bindur Sofjen se procesverbalet e zakonshme përbëjnë dokumente juridikisht detyruese.

Në një intervistë për televizionin Kanal 5, Mucunski deklaroi se tejkalimi i kontestit dypalësh me Bullgarinë mbetet sfida kryesore, ndërsa shteti ndodhet në një situatë jashtëzakonisht komplekse për shkak të vendimeve dhe obligimeve të pranuara nga qeveria paraprake.

Ai tha se Qeveria, përmes bisedimeve me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, po kërkon një mënyrë për të siguruar parashikueshmëri në procesin e integrimit, me qëllim që të shmanget përsëritja e situatave të ngjashme në të ardhmen.

Sipas tij, sigurimi i një mekanizmi të tillë mbrojtës nuk do të jetë i lehtë dhe nuk mund të arrihet brenda natës, por theksoi se shteti nuk ka alternativë strategjike apo “plan B”, pasi i vetmi “plan A” për Maqedoninë e Veriut mbetet evropianizimi dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.

“Jam personalisht i bindur se Bashkimi Evropian gjatë historisë së tij ka dëshmuar se, kur ekziston vullnet politik dhe shtysë politike, gjithmonë gjendet një zgjidhje. Askush nuk mund të më bindë për të kundërtën. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në kompetencën tonë dhe të dëshmojmë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra se jemi të përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian”, deklaroi Mucunski.

Edhe pse nuk beson se vendi duhet të presë pafundësisht, ai theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka luksin të pranojë një zgjidhje me çdo kusht, për t’u përballur sërish pas një kohe të shkurtër me të njëjtin problem. Sipas tij, në të kaluarën janë bërë shumë lëshime kombëtare me premtimin se ato do ta afronin vendin me BE-në, prandaj tani pozicionet kombëtare duhet të ndërtohen mbi baza të forta.

Duke iu përgjigjur kritikave të partive opozitare për gjoja ndryshim të qëndrimeve shtetërore, Mucunski i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si hipokrizi dhe histeri nga ata që flisnin për evropianizim, ndërsa njëkohësisht bllokonin ligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Ai theksoi se protokollet dypalëshe të nënshkruara me Bullgarinë nuk janë dokumente juridike, por vetëm procesverbale të takimeve ndërmjet ministrave të Punëve të Jashtme.

“Thelbi i problemit është se Bullgaria nuk ndan të njëjtin qëndrim. Pse? Së pari, sepse kjo ndoshta cenon pozicionet e saj, por edhe sepse një interpretim i tillë u është dhënë shprehimisht nga përfaqësues të lartë të qeverisë së kaluar të vendit tonë. Ata u kanë thënë: ‘Po nënshkruajmë me ju një dokument juridik që krijon obligime’, duke krijuar kështu një kaos për të cilin tani po përpiqemi të gjejmë zgjidhje”, u shpreh Mucunski.

Si shembull të papranueshmërisë së interpretimit bullgar, ai përmendi çështjet që lidhen me Komisionin Historik dhe obligimin hipotetik të përfshirë në protokoll, sipas të cilit shteti maqedonas, me kërkesë të Bullgarisë, do të duhej të ushtronte censurë ndaj mediave.

Ai theksoi se Qeveria nuk mund të marrë obligime të tilla juridike mbi bazën e procesverbaleve ministrore dhe nuk ka luksin t’i pranojë ato si pjesë të kornizës negociuese.

Megjithëse vlerëson se me një qasje të tillë Bullgaria po dëmton drejtpërdrejt interesat e veta për marrëdhënie më të mira dypalëshe dhe përparimin e rajonit, Mucunski tha se atje ende nuk është krijuar një masë kritike e mjaftueshme që do ta ndryshonte këtë qëndrim.

“Sipas meje, kjo është një iluzion që është krijuar edhe nga paraardhësit tanë në qeveri, të cilët nuk kishin për qëllim mbrojtjen e interesave të popullit të tyre, por të fitonin simpatinë e disa politikanëve evropianë, të cilët sot madje nuk janë më aktivë në politikën evropiane. Disa janë pensionuar, të tjerë punojnë në botën akademike. Të sakrifikosh interesin e popullit tënd vetëm për të qenë i pëlqyer nga disa kolegë ndërkombëtarë është mëkati më i madh që mund të bëjë një politikan. Legjitimitetin tonë e marrim nga qytetarët që na votojnë dhe duhet të punojmë për të ardhmen afatgjatë të tyre”, përfundoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër