“Na keni lënë në rrugë”: Ali Ahmeti rrëfen telefonatën me Adem Jasharin dhe unifikimin e UÇK-së

Nga Xh M
863 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 gusht Zhurnal.mk – Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ka rrëfyer një bisedë telefonike që, sipas tij, e kishte zhvilluar me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, në fillim të viteve ’90.

Në emisionin “Debat Plus”, në ciklin “Dosjet”, Ahmeti tha se Jashari e kishte telefonuar nga Tirana dhe i ishte ankuar për mungesën e mbështetjes.

“Unë kam pasur vetëm një bisedë të shkurtër me Adem Jasharin, që më paraqitet prej Tiranës. Na thotë: ‘Na keni lënë në rrugë’”, rrëfeu Ahmeti.

Ai tha se biseda kishte ndodhur përmes telefonit, me shumë gjasë në vitin 1992, dhe se deri atëherë nuk e kishte takuar fizikisht Jasharin.

Sipas Ahmetit, pas kësaj kishte vazhduar bashkëpunimi me bashkëluftëtarët e Jasharit, duke përmendur Sami Lushtakun, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën dhe Rafet Ramën.

Ahmeti foli edhe për mbledhjen në Arau të Zvicrës, ku, sipas tij, u vendos që njësitë e ndryshme të rezistencës të vepronin nën një emër të përbashkët – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Të gjitha njësitet, nga Rrafshi i Dukagjinit, Drenica, Llap, Rrafshi i Kosovës, duhej të vepronin nën një mekanizëm, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha ai.

Ai përmendi edhe raste që, sipas tij, ndikuan në përcaktimin e strategjisë së rezistencës, përfshirë një incident me eksploziv në Prizren dhe rastin e Nait Hasanit, për të cilin tha se ishte përgatitur të hynte me bomba në Komitetin Qendror në Beograd.

Në fund, Ahmeti vlerësoi rolin e NATO-s, SHBA-së dhe vendeve evropiane në përfundimin e luftës në Kosovë.

“Jemi mirënjohës një jetë të jetëve NATO-s, Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian, për këtë solidaritet”, tha Ahmeti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër