SHBA-ja do të përfshihet në ringjalljen e projektit të gazsjellësit nga Kroacia, përmes Bosnjës, në Mali të Zi deri  në Shqipëri, edhe për LNG amerikan

Nga R.ZH
755 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Podgoricë, 24 gusht, Zhurnal.mk – Gazsjellësi Jonian-Adriatik (IAP), projekt i propozuar prej kohësh dhe pothuajse i harruar për vite, i cili fillimisht ishte planifikuar për furnizimin e katër vendeve me gaz natyror nga Azerbajxhani, pritet të ringjallet dhe të shndërrohet në një projekt me rrjedhje dydrejtimëshe, duke mundësuar edhe furnizimin me gaz natyror të lëngshëm amerikan (LNG) nga terminali kroat në Krk, shkruan dtt-net.com, transmeton, Zhurnal.mk.

Projekti gjithashtu parashikohet të jetë i përshtatshëm për përdorimin e hidrogjenit në të ardhmen.

Këto të dhëna dalin nga dokumente të reja, si rezultat i marrëveshjes së arritur muajin e kaluar ndërmjet qeverive të SHBA-së dhe Malit të Zi për projekte strategjike.

“IAP pritet të përbëjë shtyllën kurrizore të sistemit të ardhshëm të transmetimit të gazit në Mal të Zi. Zbatimi i tij do të krijonte një lidhje të re energjetike ndërmjet Korridorit Jugor të Gazit dhe sistemeve të gazit në rajonin e Adriatikut, duke mundësuar njëkohësisht akses përmes rrjedhjes së kundërt nga sistemi kroat dhe terminali LNG në Krk, apo burime të tjera të ardhshme furnizimi”, thuhet në përmbledhjen e projektit të publikuar nga Qeveria e Malit të Zi në Ambasadën e SHBA-së në Podgoricë.

Dokumenti i referohet projektit të një gazsjellësi prej 94 kilometrash në territorin e Malit të Zi, si pjesë e një korridori më të gjerë Adriatik–Jon, i cili përfshin gjithashtu edhe një projekt autostrade ndërmjet katër vendeve.

Sipas dokumentit, në fazën fillestare gazsjellësi do të furnizonte Malin e Zi me rreth 0,5 miliardë metra kub gaz, ndërsa kapaciteti mund të rritet në të ardhmen. 

Gazsjellësi do të mund të përdorej si për furnizimin me LNG amerikan nga terminali në Krk, ashtu edhe për gazin natyror nga Azerbajxhani që do të arrinte përmes Shqipërisë, nëse ndërtohet segmenti shqiptar drejt Malit të Zi.

Kompanitë amerikane të interesuara për ndërtimin e segmentit të gazsjellësit në territorin e Malit të Zi janë ftuar të aplikojnë për një proces paraprak përzgjedhjeje nga qeveria amerikane. 

Kompanitë që do të kualifikohen më pas do të mund të konkurrojnë në tenderin publik që pritet të shpallet nga Qeveria e Malit të Zi.

Përveç ndërtimit të segmentit të gazsjellësit, kompanitë amerikane do të kenë mundësi të aplikojnë edhe për ndërtimin e një centrali elektrik me gaz në Mal të Zi, i cili do të furnizohej me LNG amerikan nga terminali i planifikuar në qytetin e Barit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër