Aktori britanik, David Daker, i njohur për rolet e tij në disa prej serialeve më të dashura televizive në Britani, ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare.
Familja e tij bëri të ditur lajmin disa javë pas vdekjes së tij, e cila ndodhi më 30 prill, pa zbuluar shkakun.
Daker u bë i njohur për publikun falë rolit të Harry Crawford në serialin “Boon”, por karriera e tij e gjatë nisi me më shumë se 80 episode në “Z Cars”, ku interpretoi personazhin e policit Owen Culshaw, shkruan DailyMail.
Gjatë dekadave, ai u shfaq edhe në seriale të njohura si “Only Fools and Horses”, “Porridge”, “Coronation Street”, “Doctor Who”, “Minder”, “Rising Damp” dhe shumë produksione të tjera televizive.
I lindur në Bilston, ai ishte më i vogli nga pesë fëmijët e familjes. Edhe pse prindërit dëshironin që të ndiqte një profesion të qëndrueshëm, pasioni për aktrimin e çoi drejt skenës dhe televizionit, ku ndërtoi një karrierë që zgjati për dekada.
Pas publikimit të lajmit, fansat dhe kolegët i bënë homazhe aktorit, duke e kujtuar si një interpretues të talentuar dhe natyral, i cili la gjurmë në disa prej serialeve më të suksesshme britanike.
Ai la pas bashkëshorten e tij Hilary, djalin Tim, vajzën Rebecca dhe motrën Hazel.


