Shkup, 25 gusht, Zhurnal.mk – Mungesa e universiteteve të Maqedonisë së Veriut në Listën e Shangait për vitin 2026 është pasqyra më e qartë e një sistemi arsimor që prej vitesh jeton me iluzione, ndërsa realiteti i tij është i zhveshur nga çdo dukshmëri ndërkombëtare. Kur mbi 2.500 universitete vlerësohen dhe vetëm 1.000 më të mirët publikohen, fakti që asnjë institucion vendas nuk arrin të hyjë në këtë listë është një alarm i kuq për politikëbërësit, akademikët dhe shoqërinë, shkruan Zhurnal.
Kriza e cilësisë dhe mungesa e vizionit
Në vend që të prodhojë dije të verifikueshme, të cituar dhe të pranishme në rrjetet shkencore globale, arsimi i lartë në RMV mbetet i mbyllur në vetvete. Numri i punimeve të botuara në revista ndërkombëtare është i ulët, mbështetja për studiuesit është minimale, ndërsa investimet në kërkim shkencor janë të papërfillshme. Universitetet tona nuk dështojnë vetëm në rangime ato dështojnë në misionin e tyre themelor që të jenë motor i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik.
Për vite me radhë, ndryshimet ligjore për arsimin e lartë janë mbajtur në sirtarë, të paralizuara nga kalkulime politike dhe mungesë vullneti. Reforma e vërtetë nuk matet me premtime, por me rezultate të prekshme si laboratorë funksionalë, projekte kërkimore të financuara, partneritete ndërkombëtare dhe studentë që gjejnë vendin e tyre në tregun global të dijes.
Ndryshimet ligjore ende në sirtarët e Kuvendit
Ndërkohë që universitetet vendase dështojnë të hyjnë në listat ndërkombëtare, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbajë në sirtar propozim‑ndryshimet ligjore për arsimin e lartë. Draftet e miratuara nga Qeveria janë vendosur në sistemin ENER, por procedura parlamentare nuk ka nisur ende. Kjo vonesë e zgjatur e bën të qartë se reforma e arsimit të lartë nuk është prioritet politik, edhe pse është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e vendit.
Ligjet e reja synojnë të rregullojnë akreditimin, sigurimin e cilësisë dhe veprimtarinë kërkimore‑shkencore, por pa miratim parlamentar ato mbeten vetëm në letër. Çdo muaj pa veprim është një humbje për studentët, profesorët dhe institucionet, të cilët vazhdojnë të operojnë me një kornizë ligjore të vjetruar. Nëse Kuvendi nuk i nxjerr nga sirtari këto ndryshime, universitetet tona do të vazhdojnë të mbeten jashtë rangimeve ndërkombëtare dhe jashtë hartës së dijes globale.
Lista e Shangait nuk është dekor protokollar, por një arenë ku matet pesha reale e universiteteve. Harvard, Stanford, MIT, Cambridge dhe Berkeley nuk janë thjesht emra prestigjiozë ata janë shembuj të një kulture akademike ku kërkimi, inovacioni dhe financimi ecin dorë për dore. Në këtë mejdan, universitetet tona mungojnë jo për shkak të ndonjë padrejtësie metodologjike, por për shkak të boshllëqeve strukturore që nuk mund të fshihen me retorikë.
Kujtojmë që, dështimi i radhës në Listën e Shangait duhet të lexohet si një thirrje urgjente pa reformë të thellë, pa investim serioz në shkencë dhe pa hapje ndaj botës, universitetet e Maqedonisë së Veriut do të mbeten jashtë çdo harte akademike ndërkombëtare. Ndryshimet ligjore nuk duhet të mbeten në sirtarë ato duhet të shndërrohen në politika konkrete që e nxjerrin arsimin e lartë nga provincializmi dhe e vendosin në mejdanin e vërtetë të dijes globale. /Zhurnal.mk
