Në botë “Bordi i Paqes”, në rajon afërsia e Trump me Osmanin dy temat që mbuluan një ngjarje të rëndësishme globale!

nga I.A

Shkup, 23 janar – Dje në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, u nënshkrua themelimi i të ashtuquajturit “Bordi i Paqes”, një iniciativë e udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump, që pretendon të shndërrohet në një mekanizëm të ri global për menaxhimin e konflikteve. Ngjarja, megjithëse e konceptuar si një moment historik për arkitekturën ndërkombëtare të paqes, mund të interpretohet nga ky vështrim kur e gjithë bota u përqendrua në vetë Bordin dhe ndikimet gjeopolitike, rajoni veçanërisht Ballkani Perëndimor u fokusua te afërsia e dukshme politike dhe simbolike mes Trumpit dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan Zhurnal.

Çfarë është “Bordi i Paqes” i Trump dhe kush do t’i bashkohet?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përpiqet të tërheqë aleatët perëndimorë dhe aktorë të tjerë globalë në “Bordin e tij të Paqes”, një strukturë që, sipas statutit themelues, synon të promovojë stabilitetin, paqen dhe qeverisjen në zona të prekura nga konflikti.

Fillimisht, Bordi u konceptua si një organ i kufizuar për mbikëqyrjen e rindërtimit dhe demilitarizimit të Rripit të Gazës, pas luftës shkatërruese dyvjeçare. Madje, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e mbështeti planin në nëntor, duke i dhënë një lloj legjitimiteti ndërkombëtar. Por ambiciet e Trumpit shkuan më tej drafti i kartës së Bordit nuk e përmend më Gazën dhe zgjeron mandatin për të trajtuar konflikte në mbarë botën.

Një nga pikat më problematike mbetet struktura e Bordit. Trump parashikohet të shërbejë si kryetar për një kohë të pacaktuar, potencialisht edhe përtej mandatit të tij presidencial, ndërsa “Bordi Ekzekutiv themelues” përfshin figura si Jared Kushner, Marco Rubio, Steve Witkoff dhe Tony Blair. 

Ceremonia e nënshkrimit në Davos tregoi kufijtë realë të këtij projekti më pak se 20 shtete morën pjesë, kryesisht nga Lindja e Mesme, Azia dhe Amerika Latine. Mungesa e liderëve evropianë ishte e befasishme, Hungaria ishte i vetmi vend i Evropës Perëndimore i përfaqësuar, duke theksuar rezervat e thella të BE-së ndaj kësaj iniciative.

Vjosa Osmani në fokus të rajonit dhe botës për afërsinë e saj me Trump – 

Në këtë sfond të tensionuar dhe të debatueshëm global, Kosova u gjet papritur në qendër të vëmendjes. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Davos, në emër të shtetit të Kosovës, nënshkroi Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në deklaratën e saj, Osmani e paraqiti këtë akt si një moment historik, duke theksuar se “kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt”, dhe se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes të udhëhequra nga aleati strategjik i Kosovës fuqizon sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të vendit. Ajo njoftoi gjithashtu se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën.

Por ajo që e mbajti rajonin dhe mediat të përqendruara nuk ishte vetëm nënshkrimi formal. Gjuha e trupit, momenti simbolik kur Trump, pas nënshkrimit të rezolutës inauguruese, u kthye dhe i shtrëngoi dorën Osmanit, si dhe pozicionimi i saj menjëherë pas presidentit amerikan, u interpretuan si shenjë e një afërsie politike të veçantë.

Trump i quajti liderët pjesëmarrës “yje” dhe “njerëzit më të fuqishëm në botë”, ndërsa për Kosovën kjo skenë u lexua si një konfirmim i mbështetjes amerikane në një kohë kur sfidat diplomatike janë të shumta. 

Kujtojmë që, themelimi i Bordit të Paqes për Kosovën është një mundësi për dukshmëri dhe afirmim, por edhe një provë e maturisë institucionale për të balancuar aleancat strategjike me parimet e rendit ndërkombëtar. Ndërsa bota debaton nëse Bordi i Paqes është një alternativë apo një kërcënim për OKB-në, rajoni do të vazhdojë të lexojë çdo gjest, çdo shtrëngim duarsh, si një mesazh politik që në fakt kjo është edhe e vërteta sepse në takime të formateve të tilla çdo shikim e fjalë përçon mesazh. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More