Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Në sallën e madhe të gjykimeve në burgun e Idrizovës vazhdon procesi gjyqësor për tragjedinë e Koçanit, me paraqitjen e provave nga Prokuroria, përcjell Zhurnal.mk.
Në seancën e sotme pritet të prezantohen ekspertizat nga fusha e ndërtimtarisë. Në seancën e kaluar u paraqitën prova të nxjerra nga telefonat celularë të një pjese të të akuzuarve, komunikimet ndërmjet tyre, si dhe shkëmbimi i mesazheve në rrjetet sociale.
Mbrojtja reagoi duke theksuar se në një pjesë të dokumenteve të prezantuara nuk përmendet askund objekti “Puls”.
Pas përfundimit të paraqitjes së provave materiale dhe dëshmitarëve nga ana e Prokurorisë, edhe mbrojtja do të paraqesë provat dhe dëshmitarët e saj. Sipas njoftimeve të mbrojtjes, ajo do të paraqesë edhe dy ekspertiza.
Procesi gjyqësor drejtohet nga gjyqtarja Diana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
