Kumanovë, 25 janar – Ashtu siç kishte paralajmëruar MPB, sot në Kumanovë dhe Tetovë u realizuan aktivitetet për testimin, kalibrimin dhe verifikimin e pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e komunikacionit në zonën e këtyre dy qyteteve.
Aktivitetet po realizohen në intervalin kohor nga ora 08:00 deri në orën 20:00, me ç’rast në secilin lokacion me kamerë të vendosur procedura po kryhet vetëm një herë dhe shkurt, afërsisht prej 15 deri në 30 minuta.
Gjatë zbatimit të aktiviteteve në lokacionin konkret, qarkullimi do të ndërpritet përkohësisht përderisa do të zgjasë procedura. Pas kësaj, do të vazhdojë të zhvillohet normalisht.
“Aktivitetet po realizohen nga ora 08:00 deri në ora 20:00. Në të gjitha lokacionet ku janë vendosur kamerat në kuadër të sistemit “Safe City”, aktiviteti i testimit kryhet shpejt, respektivisht prej 15 deri në 30 minuta. Gjatë këtij aktiviteti në lokacionin e caktuar, trafiku përkohësisht mbyllet. Ndërsa pasi të kryhen aktivitetet trafiku rrjedh normalisht.”, deklaroi zëdhënësja e SPB të Kumanovës, Ivana Mlladenovska.
Me këtë rast MPB u bënë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim, me qëllim të realizimit të pandërprerë dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.

