Shkup, 10 maj Zhurnal.mk – Gjatë muajit mars 2026 janë dhënë gjithsej 245 leje ndërtimi, ndërsa në kuadër të tyre parashihet edhe ndërtimi i 618 banesave me sipërfaqe totale prej 53.718 metrash katrorë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, vlera e përgjithshme e objekteve të planifikuara arrin në 24 miliardë e 574 milionë denarë, që paraqet rritje prej 21.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së vlerës së investimeve, numri i lejeve të ndërtimit ka shënuar rënie prej 26.6 për qind në krahasim me marsin e vitit 2025.
Nga Enti bëjnë të ditur se rritja e vlerës totale lidhet kryesisht me dhënien e një leje për ndërtimin e një parku me erë për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet deri në 128 MW. Projekti do të realizohet në territorin e komunave Shtip, Radovish dhe Karbinci dhe konsiderohet investim me vlerë të lartë.
Sipas rajoneve, numri më i madh i lejeve të ndërtimit është regjistruar në rajonin e Pollogut me 62 leje, ndërsa pason rajoni i Shkupit me 51 leje të dhëna gjatë muajit mars.
