“Në shërbim të qytetarëve”, Bardhi: PD-ja propozon 28 amendamente për buxhetin dhe paketën fiskale

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 25 nëntor Zhurnal.mk – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, bëri të ditur këtë të mërkurë, pas mbledhjes së grupit, se opozita ka propozuar 28 amendamente në projektbuxhetin e ri dhe paketën fiskale. Sipas tij, këto propozime kanë si synim lehtësimin e kostos së jetesës për qytetarët.

Sipas listës, propozimet e demokratëve prekin shtylla ekonomike dhe sociale, duke përfshirë rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e taksave për energjinë dhe ujin, si dhe ndërprerjen e pagesave për inceneratorin e Tiranës dhe koncesionet.

AMENDAMENTET E PROPOZUARA NGA GRUPI PARLAMENTAR I PD PËRFSHIJNË:

Vendosja e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
Rritja me 30–50% e pagave për të gjithë administratën publike.
Ulja në 6% e TVSH-së për ujin.
Ulja në 6% e TVSH-së për energjinë.
Pezullimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës.
Për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
Trefishimi i fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
Shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
Rritja me 30% e pagave në sektorin e shëndetësisë.
Realizimi i dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
Alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve si pasojë e zhvlerësimit të euros.
Alokimi i 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
Rritja me 50% e transfertës së pakushtëzuar.
Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
Rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që përfaqëson një rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
Dyfishimi i ndihmës ekonomike.
Rritja e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
Rritja me 30% e pagave në sektorin e arsimit.
Dyfishimi i fondit për rimbursimin e barnave.
Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për arsimin.
Anulimi i rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
Trefishimi i subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
Pezullimi i pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
Anulimi i rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për shëndetësinë.
Vendosja e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimi i rritjes së taksës mbi dividendin.
Ndërprerja e plotë e financimit të koncesionit të laboratorëve.

artikuj të ndërlidhura