Në takim me UNHCR-në, Kurti kërkon hapjen e arkivave nga Serbia

Nga D. V.
538 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 7 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë , Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesen Rajonale të UNHCR-së, për Evropën Qendrore, Nicole Epting.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në takim është diskutuar për çështjet që lidhen me refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe personat pa shtetësi, si dhe për përgjegjësinë institucionale dhe ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Kryeministri në detyrë Kurti e njoftoi përfaqësuesen Epting me politikat dhe programet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të zbatuara nga ministritë e linjës, të cilat adresojnë nevojat dhe të drejtat e këtyre kategorive, përfshirë strehimin, mbështetjen sociale dhe qasjen në shërbime publike”, thuhet në njoftim.

Gjatë bashkëbisedimit, sipas njoftimit, u theksua rëndësia e qasjes humane dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

“Trajtimi i këtyre çështjeve duhet të mbetet gjithmonë i udhëhequr nga parimet e të drejtave të njeriut dhe solidaritetit humanitar, duke vendosur njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër të politikave publike dhe angazhimit institucional”, theksohet tutje.

Në fund të takimit është diskutuar edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit, Kurti ka deklaruar se aktualisht janë 1 mijë e 565 persona të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa ka potencuar nevojën për zbatimin e plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel.

Ai po ashtu ka nënvizuar se progresi në këtë proces kërkon hapjen e arkivave nga Serbia, përfshirë arkivin e Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, i cili, sipas Qeverisë, mbetet i klasifikuar nga autoritetet serbe deri në vitin 2044.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër