Tiranë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi nënshkroi sot marrëveshjen me kompaninë Verbund për ndërtimin e Parkut Eolik të Spillesë.
Karakaçi tha se sot “shënohet një hap i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit energjetik në Shqipëri, një hap konkret drejt shfrytëzimit të një prej potencialeve më të rëndësishme natyrore të vendit, energjisë së erës”.
“Nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e parkut eolik të Spilles nuk përfaqëson thjesht nisjen e një investimi të ri. Ai shënon fillimin e një etape të re në diversifikimin e burimeve të energjisë, në forcimin e sigurisë energjetike dhe në zgjerimin e kapaciteteve tona prodhuese nga burimet e rinovueshme”, tha Karakaçi.
Ministri Karakaçi, nënvizoi se për herë të parë, Shqipëria kalon nga potenciali i energjisë së erës drejt realizimit konkret të një parku eolik që do të ndërtohet në territorin e saj.
Ai shprehu kënaqësinë e bashkëpunimit me Verbund, një nga kompanitë kryesore energjetike austriake dhe një prej partnerëve kryesorë në prodhimin e energjisë së pastër.
Parku eolik i Spillesë do jetë projekti i parë i parqeve eolike në Shqipëri.
Qeveria Shqiptare sipas Karakaçit i ka kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimit të energjisë së erës dhe energjisë diellore, si burime që plotësojnë potencialin hidroenergjetik.
“Objektivi ynë nuk është vetëm të prodhojmë më shumë energji, por të kemi një sistem që kombinon më mirë burimet e ndryshme, shfrytëzon potencialet natyrore dhe garanton furnizim më të sigurt për familjet, bizneset dhe ekonominë shqiptare. Në këtë kontekst, ky park që ne sot nënshkruajmë marrëveshjen finale të saj, merr një rëndësi të veçantë. Me një kapacitet të instaluar prej 72.6 mega, ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt krijimit të një sektori të energjisë së erës në Shqipëri. I pozicionuar në Bashkinë e Rrogozhinës, pranë bregdetit të Adriatikut, parku do të kontribuojë në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese nga burimet e rinovueshme dhe në krijimin e një baze të re për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj teknologjie në vendin tonë”, tha Karakaçi.
Karakaçi nënvizoi se ndërtimi fillon që nga dita e sotme dhe ky është një proces shumë i rëndësishëm, pasi subjekti jo vetëm që ka marrë gjithë dokumentet përkatëse, por ka plotësuar të gjitha kushtet.
“Ministria po ashtu ka plotësuar të gjitha kushtet. Sot nënshkruhet edhe marrëveshja e shitblerjes se energjisë elektrike, leja e ndërtimit është marrë, pra është një projekt që është ready to build, për t’u ndërtuar menjëherë. Operimi tregtar parashikohet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2028. Ky është një moment që meriton të vlerësohet, sepse tregon se politikat për zhvillimin e burimeve të reja të energjisë po përkthehen në projekte konkrete dhe investime me rëndësi për të ardhmen e vendit”, tha ai.
Sipas Karakaçit, një element tjetër i rëndësishëm është mënyra si është zgjedhur që të zhvillohet ky sektor.
“Ky projekt specifikisht është rezultat i një ankandi të zhvilluar para pak vitesh që ishte ankandi i parë i parqeve eolike dhe unë dua të falënderoj këtu posaçërisht edhe Ditmarin dhe Marinelën që besuan tek ky proces dhe nuk hoqën dorë nga pjesëmarrja në proces pavarësisht se projekti kishte dhe specifikat e veta dhe kishin edhe dyshime përsa i përket disa elementëve të fizibilitetit. Nga ky proces i ankandit, siç e thashë, u përzgjodhën tri projekte eolike dhe sot projekti i Spillesë i zhvilluar nga Verbund është i pari nga këto projekte që ka përmbushur të gjitha parakushtet për nisjen e punimeve në terren”, tha ai.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi se “ambicia është që parku i Spillesë të mos mbetet një projekt i veçuar, por të shërbejë si një pikënisje për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori”.
“Për ne, ky projekt është gjithashtu një dëshmi e rëndësisë së partneriteteve ndërkombëtare dhe e besimit që investitorët me përvojë i japin potencialit energjetik të Shqipërisë. Prania juaj në Shqipëri, ku kompania është e angazhuar edhe në sektorin hidrik përmes projektit të Ashtës, përbën një bazë të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë së rinovueshme”, pohoi Karakaçi.
Karakaçi u shpreh se “nga ndërtimi i këtij projekti do të përfitojë edhe bashkia Rrogozhinë, pasi ka rrugë aksesi, por edhe kontent lokal.
“E ardhmja energjetike e Shqipërisë nuk ndërtohet vetëm mbi atë që kemi arritur deri më sot, por edhe mbi aftësinë tonë për të shfrytëzuar potencialet që ende nuk janë vënë plotësisht në funksion të ekonomisë. Dhe pikërisht prandaj ka rëndësi edhe ky projekt pasi vendosim për herë të parë një projekt kaq të madh të erës në zbatim”, tha ai.
