Nëntë njësi të reja rajonale të kimioterapisë së shpejti në të gjithë vendin

Nga D. V.
464 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 4 gusht, Zhurnal.mk – Në spitalin rajonal të Elbasanit, shërbimi i kimioterapisë vijon çdo ditë pa ndërprerje për t’u ofruar pacientëve me sëmundje tumorale trajtim të specializuar sa më pranë vendbanimit të tyre.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se së shpejti, 9 njësi të reja rajonale të kimioterapisë do të jenë në funksion në të gjithë Shqipërinë, duke zgjeruar aksesin në trajtim, duke e afruar shërbimin me pacientët dhe duke ulur fluksin në spitalin onkologjik në Tiranë.

Ndërkohë, drejtoresha e spitalit rajonal Elbasan, Zheni Gjergji shprehet se “shërbimi i kimioterapisë funksionon pranë klinikës onkologjike në spitalin rajonal të Elbasanit që nga viti 2017”.

“Edhe deri më sot, ai ofron një kujdes cilësor, të sigurt për pacientët me sëmundje tumorale. Nga 14 pacientë që filluam aktivitetin në vitin 2017, sot kemi arritur të trajtojmë 156 pacientë në 6-mujorin e parë të 2026-s dhe kemi bërë afërsisht rreth 256 seanca kimioterapie”, tha ajo.

Sipas Gjergjit, qëllimi i spitalit rajonal të Elbasanit, por dhe i gjithë sistemit shëndetësor, është të ofrojë shërbim të sigurt, cilësor, bazuar në vendimet e marra nga tumor board-i, sa më afër vendbanimit të pacientit.

“Spitali Rajonal Elbasan është një spital që po punon me ritme të shpejta për të rritur cilësinë e shërbimit për pacientët me sëmundje tumorale”, përfundoi Gjergji.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër