Qëndrimi ynë për të kundërshtuar njohjen e shtetit palestinez në çdo territor në perëndim të lumit Jordan mbetet i vendosur dhe i pandryshuar, i tha dje kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kabinetit të tij, sipas “The Jerusalem Post”.
Netanyahu theksoi kundërshtimin e Izraelit ndaj një shteti palestinez dhe angazhimin për të çmilitarizuar Hamasin, gjatë fjalës së tij hapëse në mbledhjen e qeverisë.
Takimi përfshiu diskutime me ministrat mbi çështjen e një shteti palestinez.
Ron Dermer, kreu i negociatave për lirimin e pengjeve izraelite në Gaza, mori pjesë në takim, pavarësisht dorëheqjes së tij nga roli si ministër i Çështjeve Strategjike javën e kaluar.
Deklarata e tij erdhi pas një sërë kritikash nga politikanë dhe ligjvënës të ekstremit të djathtë, të cilët i bënë thirrje kryeministrit Netanyahu të sqaronte qëndrimin e Izraelit në lidhje me krijimin e një shteti palestinez.
“Qëndrimi ynë për të kundërshtuar njohjen e shtetit palestinez në çdo territor në perëndim të lumit Jordan mbetet i vendosur dhe i pandryshuar”, tha Netanyahu në takim.
“Unë i kam kundërshtuar këto përpjekje për dekada me rradhë, duke u përballur me presionin nga jashtë dhe brenda. Kështu që nuk kam nevojë për përforcime apo leksione nga askush”, shtoi ai.
Netanyahu gjithashtu shprehu se Gaza do të çmilitarizohej dhe se Hamasi do të eliminohej.
“Në planin 20-pikësh te SHBA-se dhe në çdo kornizë tjetër, zona e Gazës që është nën kontrollin e Hamasit do të çmilitarizohet dhe do të shpërbëhet, qoftë në mënyrën e lehtë apo të vështirë”, tha Netanyahu, duke shtuar se presidenti amerikan, Donald Trump kishte shprehur të njëjtin qëndrim.
Të premten, SHBA-ja, Katari, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Indonezia, Pakistani, Jordania dhe Turqia lëshuan një deklaratë të përbashkët duke shprehur mbështetje për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hartuar nga SHBA-ja, e cila është në shqyrtim dhe që do të ofronte një rrugë drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze.
