Nga qendra e Shkupit tek aeroporti për vetëm 8–11 minuta – paralajmërohen dy linja të reja hekurudhore në Shkup

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 shtator Zhurnal.mk – Shkupi pritet të nisë pranverën e ardhshme ndërtimin e një linje të shpejtë hekurudhore që do të lidhë drejtpërdrejt Stacionin e Ri Hekurudhor me Aeroportin Ndërkombëtar në Petrovec. Sipas paralajmërimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, udhëtimi nga qendra e qytetit deri te terminali i aeroportit do të zgjasë vetëm 8 deri në 11 minuta.

Projekti është pjesë e planit për modernizimin e transportit hekurudhor dhe transformimin e transportit publik në kryeqytet.

Zgjerohen linjat e trenit urban

Pas funksionalizimit të linjës së parë të trenit urban, autoritetet po përgatisin edhe zgjerimin e rrjetit. Një pikë e re hekurudhore pritet të ndërtohet pranë lagjes “11 Oktomvri Baraka” në Komunën e Kisella Vodës, ndërsa planifikohet edhe vendosja e pikave për biçikleta dhe harmonizimi i orareve me transportin publik të JSP-së.

Projekti parashikon edhe dy linja të reja:

* Linja e dytë: Stacioni i Ri – Autokomandë – Maxhari – Çento – Ilinden – Agino Sellë.
* Linja e tretë: Volkovo – Gjorçe Petrov – Shkup Veri – Butel – Stacioni i Ri.

Sipas Nikolloskit, reagimet e para të qytetarëve ndaj trenit urban kanë qenë shumë pozitive, ndërsa përdorimi i trenave elektrikë synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit nga zonat periferike drejt qendrës.

Trenat e rinj me mbështetje ndërkombëtare

Ministria e Transportit po punon edhe për modernizimin e flotës hekurudhore.

Përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) janë duke u siguruar pesë lokomotiva të reja elektrike për elektrifikimin e transportit të mallrave.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po finalizohet blerja e 4 deri në 6 trenave të rinj modernë për udhëtarë, të pajisur sipas standardeve evropiane dhe me hapësira të veçanta për biçikleta dhe kafshë shtëpiake.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër