Nga yje të fushës në pronarë klubesh: Si po ndryshon qasja e futbollistëve më të mëdhenj

Nga D V
478 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Investimi në klube futbolli është kthyer në një trend gjithnjë e më të madh mes yjeve të futbollit. Në të kaluarën, pas përfundimit të karrierës, lojtarët zakonisht zgjidhnin për t’u bërë trajner apo rolin e analistit, ndërsa sot një pjesë e tyre po bëhen aksionarë dhe pronarë klubesh.

Shembulli më i njohur është David Beckham, i cili u bë bashkëpronar i Inter Miami dhe më pas solli në MLS edhe Lionel Messi. Tashmë, një numër i madh yjesh po ndjekin të njëjtën rrugë.

Lionel Messi – Cornella

Messi bëri një nga investimet më të mëdha në prill, duke marrë 100 për qind të aksioneve të UE Cornella, klubit që garon në kategorinë e pestë të futbollit spanjoll.

Cornella ndodhet në jugperëndim të Barcelonës, qytetit ku argjentinasi kaloi 17 vite të karrierës së tij me Barcelonën. Klubi deklaroi se marrëveshja forcon lidhjen e Messit me Kataloninë dhe synon zhvillimin e talenteve lokale.

Ndikimi i tij ishte i menjëhershëm edhe jashtë fushës, pasi numri i ndjekësve të Cornellas në rrjetet sociale u rrit ndjeshëm.

Klubi ka një akademi të respektuar, nga e cila kanë dalë emra si Jordi Alba, Gerard Martin dhe portieri i Arsenalit, David Raya.

Ky është investimi i parë i Messit në një klub evropian, ndërsa ai është gjithashtu bashkëpronar i Deportivo LSM në Uruguai, së bashku me Luis Suarezin.

Cristiano Ronaldo – Almeria

Cristiano Ronaldo ka bërë hapin e parë drejt ambicies për të pasur disa klube në pronësi.

Në shkurt, përmes kompanisë së tij CR7 Sports Investments, portugezi bleu 25 për qind të aksioneve të Almerias, klub që garon në Segunda Division.

Ronaldo ka deklaruar më herët se dëshiron që një ditë të jetë pronar i disa klubeve, duke preferuar këtë rol në vend të drejtimit si trajner apo drejtor sportiv.

Almeria është në pronësi kryesisht të një konsorciumi saudit dhe synon rikthimin në La Liga. Klubi humbi finalen e play-off-it sezonin e kaluar ndaj Malagas, ndërsa tani ka emëruar trajnerin Garcia Pimienta dhe ka bërë disa përforcime për të synuar ngjitjen direkte.

Në mënyrë simbolike, Ronaldo pati mundësinë ta shihte Almerian nga tribuna në një miqësore kundër Al-Nassrit në Lisbonë, ku skuadra e tij aktuale humbi 2-0 ndaj klubit ku tashmë është bashkëpronar.

Vinicius Junior – Alverca

Ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, është pjesë e një grupi investitorësh që bleu 70-80 për qind të aksioneve të Alvercas në shkurt 2025, për një shumë të raportuar prej rreth 10 milionë eurosh.

Investimi erdhi në një moment ideal, pasi Alverca siguroi promovimin në elitën e futbollit portugez për herë të parë që nga viti 1998.

Braziliani nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e klubit. Agjenti i tij, Thassilo Soares, është aksionari kryesor, ndërsa drejtuesit e Alvercas e përshkruajnë Viniciusin si “tifozin më të famshëm të klubit”.

Objektivi kryesor i Alvercas është të mbijetojë në elitë dhe të zhvillojë lojtarë për t’i shitur më pas. Përveç Viniciusit, në projekt janë përfshirë edhe Eduardo Camavinga dhe reperi amerikan Travis Scott, kryesisht në aspektet e komunikimit dhe marketingut.

Kylian Mbappe – Caen

Kylian Mbappe është një nga pionierët e gjeneratës së re të futbollistëve-pronarë.

Në qershor 2024, kompania e tij Interconnected Ventures, përmes Coalition Capital, bleu shumicën e aksioneve të SM Caen. Mbappe raportohet se investoi rreth 15 milionë euro.

Por aventura e tij në Caen nuk nisi ashtu siç pritej. Klubi përfundoi sezonin 2024/25 në vendin e 18-të në Ligue 2 dhe ra në kategorinë e tretë franceze, për herë të parë pas 41 vitesh.

Rezultatet e dobëta shkaktuan protesta nga tifozët, ndërsa u shfaq edhe një pankartë me mesazhin: “SMC nuk është lodra jote”.

Mbappe më pas ndërhyri në strukturën sportive, duke emëruar ish-trajnerin e Arsenalit dhe Francës, Gaël Clichy, ndërsa këtë verë u emërua edhe Mathieu Bodmer si drejtor sportiv.

Luka Modric – Swansea City

Pak para përfundimit të karrierës së tij 13-vjeçare te Real Madridi, Luka Modric u bë investitor dhe bashkëpronar minoritar i Swansea City.

Kroati iu bashkua pronarëve amerikanë të klubit, të cilët kërkonin prej kohësh një investitor të profilit të lartë.

Modric nuk është thjesht një investitor financiar. Ai është interesuar të mësojë nga afër mënyrën se si funksionon klubi dhe ka ofruar edhe ndihmën e tij në bisedat me futbollistë të mundshëm.

Objektivi kryesor i klubit mbetet rikthimi në Ligën Premeir pas një mungese të gjatë.

Thibaut Courtois – Genk, Le Mans dhe Extremadura

Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, është ndoshta lojtari më aktiv në këtë listë sa i përket investimeve.

Vetëm gjatë vitit të fundit, belgu është bërë pjesë e pronësisë së tre klubeve.

Në shkurt, Courtois investoi te Le Mans përmes kompanisë NxtPlay Capital, të cilën e ka themeluar së bashku me Gonzalo Vilar. Në grupin e pronarëve të klubit francez janë edhe sportistë të njohur si Novak Djokovic dhe Felipe Massa.

Tre muaj më vonë, Courtois dhe NxtPlay u bënë bashkëpronarë të CD Extremadura, klub që ka realizuar katër promovime radhazi që nga viti 2022.

Por investimi më personal për të është Genk. Më 1 qershor, klubi belg njoftoi rikthimin e Courtois si investitor minoritar. Pikërisht te Genk portieri kishte nisur karrierën e tij profesionale.

Courtois u bë kështu aksionari i parë i jashtëm korporativ në historinë e klubit.

Një model i ri në futboll

Investimet e Messit, Ronaldos, Viniciusit, Mbappes, Modricit dhe Courtois tregojnë se roli i futbollistëve po ndryshon edhe jashtë fushës.

Me pasuri të mëdha të krijuara nga pagat dhe kontratat e sponsorizimit, yjet po përdorin kapitalin dhe eksperiencën e tyre për të ndërtuar projekte afatgjata në futboll.

Synimi nuk është gjithmonë vetëm suksesi sportiv. Akademitë, zbulimi i talenteve, marketingu, të dhënat dhe zhvillimi i lojtarëve për shitje po bëhen pjesë e rëndësishme e këtyre projekteve.

Në këtë drejtim, modeli i krijuar nga struktura si City Football Group, Red Bull dhe BlueCo duket se po frymëzon edhe gjeneratën e re të futbollistëve-pronarë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër