Nikolloski: Lidhja hekurudhore me Bullgarinë do të përfundojë deri në vitin 2031

Nga D V
1,060 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 qershor, Zhurnal.mk – Ndërtimi i segmentit të dytë të hekurudhës drejt Bullgarisë, në pjesën Belljakovcë – Kriva Pallankë, po realizohet me një progres të përgjithshëm prej 36 për qind, ndërsa e gjithë lidhja hekurudhore me Bullgarinë pritet të përfundojë deri në vitin 2031, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë inspektimit të punimeve në Korridorin 8, transmeton Zhurnal.

Nikolloski, i cili së bashku me drejtorin e MZ Infrastruktura, Sinisha Ivanovski, vizitoi trasenë, theksoi se bëhet fjalë për një nga projektet më komplekse infrastrukturore në vend, me gjatësi prej 34 kilometrash, ku po ndërtohen 29 ura, 15 tunele, gjashtë mbikalime dhe tre nënkalime.

“Ky është një projekt inxhinierik jashtëzakonisht sfidues. Në vetëm 34 kilometra kemi 29 ura, 15 tunele – numri më i madh i tuneleve të ndërtuara ndonjëherë në Maqedoni, gjashtë mbikalime, tre nënkalime, tre stacione hekurudhore, dy ndërtesa stacionesh dhe tre objekte shërbimi,” tha Nikolloski.

Linja hekurudhore është projektuar për shpejtësi prej 100 deri në 120 km/orë, ndërsa shtylla më e lartë e urave arrin në 61 metra. Sipas tij, progresi i punimeve konstruktive është 31 për qind, ndërsa realizimi i përgjithshëm i projektit është 36 për qind.

“Pres që deri në tetor 2028, më saktë deri në tremujorin e fundit të vitit 2028, këtu tashmë të qarkullojnë trenat,” deklaroi Nikolloski.

Ai informoi se pas përfundimit të segmentit të dytë do të vijojë ndërtimi i segmentit të tretë drejt kufirit me Bullgarinë, për të cilin tashmë është shpallur tenderi për zgjedhjen e organit mbikëqyrës, ndërsa në javët e ardhshme pritet të shpallet edhe tenderi për ndërtim.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se kur pritet të përfundojë tërësisht projekti për lidhjen hekurudhore me Bullgarinë, Nikolloski tha se synimi është që deri në vitin 2031 të përfundojë e gjithë trasa, përfshirë edhe tunelin që duhet të ndërtohet bashkërisht me palën bullgare.

“Pres, sipas asaj që kemi premtuar, që deri në vitin 2031 ta përfundojmë të gjithë segmentin, së bashku me tunelin që duhet ta ndërtojmë bashkë me Bullgarinë. Synimi është që në vitin 2031 projekti të përfundojë nga të dyja anët, sepse është e vërtetë që nga Sofja deri në Gjueshevë ekziston linjë hekurudhore, por po ashtu është e vërtetë që në pjesën më të madhe të trasës duhet të ndërtohet linjë e re ose të rikonstruktohet plotësisht ajo ekzistuese,” tha Nikolloski.

Korridori 8 është pjesë e rrjetit transportues evropian që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, theksoi Nikolloski, duke shtuar se NATO e ka shpallur si korridorin e dytë më të rëndësishëm për sigurinë.

I pyetur për sinjalizimin dhe elektrifikimin e segmentit të tretë, Nikolloski sqaroi se ato do të realizohen përmes një procedure të veçantë tenderimi.

“Së pari zhvillohet tenderi për ndërtim, e më pas tenderi për sinjalizim dhe elektrifikim. Synimi është që sistemet që do të instalohen të jenë më modernët në momentin e vendosjes. Nëse tani zgjedhim një zgjidhje të caktuar dhe e instalojmë pas pesë vitesh, ekziston mundësia që ndërkohë të jetë bërë e vjetruar,” tha Nikolloski.

Drejtori i MZ Infrastruktura, Sinisha Ivanovski, theksoi se bëhet fjalë për një segment ku për më shumë se tre dekada nuk ka pasur aktivitete të rëndësishme dhe ndërtimi është komplikuar më tej për shkak të konfigurimit të terrenit.

“Ky është segmenti i dytë i hekurudhës drejt Bullgarisë me gjatësi prej 34 kilometrash. Linja e cila kishte nisur që në vitet ’90 dhe për rreth 30 vite nuk kishte pasur asnjë aktivitet, tani po punohet intensivisht. Pavarësisht kushteve të pafavorshme, projekti ka realizim prej 37 për qind,” tha Ivanovski.

Ai shtoi se aktivitetet po zhvillohen në tre segmente kryesore – punime tokësore dhe ndërtimore, rehabilitim dhe zgjerim të 26 urave të ndërtuara në vitet ’90, si dhe ndërtim të 15 tuneleve. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër