Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Qeveria vazhdon ta stimulojë eksportin, sepse ai është prioriteti kryesor i ekonomisë vendore. Kemi çmime konkurruese dhe transport konkurrues, por kjo duhet të ruhet. Po kërkojmë zgjidhje bilaterale me vendet e zonës Shengen për transportuesit, ndërsa Zvicra ishte e para që na zgjati dorën dhe do të vazhdojmë ta zgjidhim këtë çështje. Investimet në zhvillimin e rrjetit të transportit në korridoret 8 dhe 10 po i realizojmë me ritëm të përshpejtuar”, deklaroi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski në “Forumin për Tregtinë Globale dhe Rritjen 2026”, të organizuar nga Oda Zvicerane e Maqedonisë.
“Eksporti është prioritet, sepse nëse kufizohemi vetëm në atë që është treg vendas, atëherë do të ishim shumë larg edhe nga ky nivel i rritjes ekonomike që kemi tani, e sigurisht se duhet të rritemi edhe më tej, sepse kjo është larg asaj që do të dëshironim të shihnim. Prandaj eksporti është prioriteti numër një i ekonomisë vendore, diçka që ne si Qeveri e stimulojmë dhe e mbështesim shumë. Më gëzon fakti që ai po rritet, më gëzon që kompanitë e huaja që kanë investuar vazhdojnë të rriten. Po ashtu, po vijnë edhe kompani të reja që duan të investojnë, por ajo që më gëzon veçanërisht është se kompanitë vendore po depërtojnë gjithnjë e më shumë në tregjet e huaja. Pres që të kemi një rritje shumë më të madhe në periudhën e ardhshme”, theksoi Nikolloski.
Ai shtoi se investimet në rrjetin rrugor dhe hekurudhor të korridoreve 8 dhe 10 po realizohen me ritëm të përshpejtuar dhe, të kombinuara me çmimet konkurruese të shërbimeve, po kontribuojnë në rritjen e ekonomisë dhe të eksporteve të Maqedonisë.
“Çmimi i karburantit në Maqedoni është bindshëm më i liri, jo vetëm në të gjithë rajonin, por në të gjithë Evropën. Për më tepër, çmimet e shërbimeve hekurudhore që ofron Hekurudha e Maqedonisë Transport janë gjithashtu më të lirat dhe më konkurrueset në rajon. Prandaj mendoj se detyra jonë në periudhën e ardhshme do të jetë t’i ruajmë këto çmime, duke pasur parasysh sfidat globale”, tha Nikolloski.
Qeveria mbetet fuqimisht e përkushtuar në mbështetjen e kompanive vendore dhe të huaja. Për më tepër, sipas zëvendëskryeministrit Nikolloski, duhet të punohet në procesin e standardizimit, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në tregjet e huaja.
