Shkup, 18 nëntor Zhurnal.mk – Në platformat më të mëdha të shpalljeve në internet në Maqedoninë e Veriut mund të gjenden dhjetëra oferta për vende varresh në varrezat e Butelit, Gjorçe Petrovit dhe Kamnikut, të cilat ndodhen në Shkup, por edhe në qytete të tjera të vendit. Çmimet për shitje, bartje të së drejtës së shfrytëzimit apo dhënie me qira arrijnë nga 2.500 deri në 5.000 euro.
Në Tetovë, ndërkaq, është në shitje një vend varri në varrezat e qytetit, me çmim prej 6.000 eurosh. Megjithatë, pronari ka theksuar se çmimi nuk është fiks dhe se mund të negociohet.
Shumë më i ulët është çmimi i vendeve të varreve në Veles, të paktën i atyre që ofrohen përmes internetit. Një vend varri në varrezat pranë kishës “Shën Shpëtimtari” shitet për 10.000 denarë.
Varrezat në Butel, Kamnik dhe Gjorçe Petrov menaxhohen nga shoqëria aksionare për veprimtari funerale dhe shërbime përcjellëse “AD Butel”. Në listën e saj të çmimeve, vendet e varreve kushtojnë shumë më lirë sesa çmimet me të cilat qytetarët i ofrojnë në internet. Përmes “AD Butel”, një vend varri kushton 200 euro, ndërsa qytetarët i shesin për shuma deri në dhjetëfish më të larta.
Ligji i vitit 2008 i shfuqizoi kontratat e vjetra me afat të caktuar, me qëllim të shfrytëzimit racional të hapësirës.
Sot, e drejta për shfrytëzimin e një vendi të ri varri te menaxhuesi “Butel AD Shkup” fitohet ekskluzivisht në momentin e vdekjes, përmes lidhjes së një kontrate me afat të pacaktuar. Ndërsa paraprakisht kjo e drejtë mund të fitohet vetëm përmes bartjes së një vendi varri ekzistues nga një person te tjetri.
Sipas Ligjit për varreza dhe shërbime funerale, kjo procedurë rregullohet vetëm me një deklaratë të vërtetuar te noteri, pa kushte të tjera shtesë.
Personat e rinj që marrin në shfrytëzim vendet e varreve dhe për këtë paguajnë shuma të konsiderueshme, fitojnë të drejtën e përdorimit në bazë të kësaj deklarate. Megjithatë, ligji nuk ua lejon që të bëhen pronarë të tokës.
“Fokus” e pyeti Odën e Noterëve të Maqedonisë se çfarë akti juridik vërtetojnë noterët kur bartet e drejta e shfrytëzimit të një vendi varri kundrejt një shume të caktuar parash dhe nëse bëhet fjalë për një “deklaratë për heqjen dorë nga e drejta e shfrytëzimit”, pa kompensim financiar.
“Vendet e varreve janë të mira në përdorim të përgjithshëm dhe nuk mund të jenë objekt i shitblerjes. Sipas Ligjit për varreza dhe shërbime funerale, personat fizikë nuk fitojnë pronësi, por të drejtën e shfrytëzimit të një vendi varri si servitut personal, të vendosur në tokë ndërtimore në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bartës i së drejtës mbi vendin e varrit është personi fizik që e ka këtë të drejtë.
Sipas këtij ligji, dhënia e së drejtës së shfrytëzimit të një vendi varri, si servitut personal, bëhet në bazë të një kontrate të lidhur ndërmjet menaxhuesit të varrezave dhe bartësit të së drejtës së shfrytëzimit të vendit të varrit, me afat të pacaktuar.
Sipas nenit 19, paragrafi 6, të ligjit, bartësi i së drejtës së shfrytëzimit të vendit të varrit mund t’ua bartë këtë të drejtë personave të tretë, në bazë të një deklarate të vërtetuar nga noteri. Bartësi ia dorëzon deklaratën menaxhuesit të varrezave, i cili më pas lidh kontratë të re për dhënien e së drejtës së shfrytëzimit me personin në favor të të cilit është dhënë deklarata.
Nga kjo rezulton se noteri vërteton vetëm një akt të njëanshëm: deklaratën e bartësit të së drejtës së shfrytëzimit, dhe jo kontratë shitblerjeje apo ndonjë kontratë tjetër dypalëshe për bartjen e pronësisë. Ligji nuk parasheh detyrimin që kontrata ndërmjet menaxhuesit të varrezave dhe bartësit të së drejtës së shfrytëzimit të vendit të varrit të vërtetohet te noteri. Për këtë arsye, palët nuk i drejtohen noterit për këtë shërbim.
Noteri e vërteton deklaratën në përputhje me nenin 86 të Ligjit për Noteri, pavarësisht marrëdhënieve të mundshme kontraktuale ndërmjet palëve lidhur me kompensimin financiar. Marrëdhënie të tilla nuk janë objekt i vërtetimit noterial sipas këtij ligji dhe nuk ndikojnë as në natyrën juridike të aktit që vërtetohet”, thuhet në sqarimin e Odës së Noterëve.
Nga Oda e Noterëve shpjegojnë se kur nga noteri kërkohet vërtetimi i një nënshkrimi, për shembull në një deklaratë, noteri konstaton identitetin e nënshkruesit dhe vërteton se personi e ka nënshkruar dokumentin në praninë e tij ose e ka pranuar nënshkrimin si të vetin.
Noteri nuk ka detyrim të hetojë nëse pas deklaratës fshihet një shitblerje e kamufluar.
“Sipas paragrafit 4 të të njëjtit nen, gjatë vërtetimit të nënshkrimit ose shenjës së gishtit, noteri njihet me përmbajtjen e dokumentit vetëm në masën e nevojshme për plotësimin e rubrikave në regjistrin e vërtetimeve dhe konfirmimeve. Noteri nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e dokumentit dhe nuk ka detyrim të verifikojë nëse pjesëmarrësit janë të autorizuar për ta ndërmarrë veprimin juridik. Në përputhje me paragrafin 5, noteri është i detyruar ta informojë palën se vërtetimi ka të bëjë vetëm me nënshkrimin ose shenjën e gishtit.
Nga kjo rezulton se gjatë vërtetimit të nënshkrimit në një deklaratë të dhënë nga bartësi i së drejtës së shfrytëzimit të vendit të varrit, noteri nuk ka detyrim të hetojë nëse pas deklaratës fshihet një shitblerje e kamufluar. Kjo edhe për faktin se vendi i varrit është pronë shtetërore dhe, si i tillë, nuk mund të jetë objekt shitjeje. Deklaratën e vërtetuar bartësi ia dorëzon menaxhuesit të varrezave, i cili është kompetent për lidhjen e kontratës për dhënien e së drejtës së shfrytëzimit me personin në favor të të cilit është dhënë deklarata”, thonë nga Oda.
Në përputhje me nenin 86 të Ligjit për Noteri, gjatë vërtetimit të nënshkrimit në një deklaratë, noteri konfirmon se nënshkrimi i përket personit që e ka dhënë deklaratën. Për këtë arsye, ai nuk ka detyrim ligjor të kontrollojë shpalljet për shitje dhe as të hetojë dyshimet për shmangie tatimore.
“Me vërtetimin e deklaratës së njëanshme, noteri nuk konstaton nëse ndërmjet personave ka pasur pagesë. Çështja nëse ekziston detyrim tatimor dhe nëse ka baza për dyshime për shmangie tatimore është në kompetencë të organeve tatimore dhe Prokurorisë Publike.
Procedura për bartjen e së drejtës së shfrytëzimit të një vendi varri është e rregulluar qartë me Ligjin për varreza dhe shërbime funerale. Përtej procedurës së përcaktuar me ligj, Oda e Noterëve nuk ka informacione për keqpërdorime të kësaj të drejte, pasi roli i noterëve kufizohet vetëm në vërtetimin e deklaratës.
Nëse në praktikë ekzistojnë probleme, është e nevojshme që kjo çështje të shqyrtohet me organet kompetente për zbatimin e procedurës, me qëllim që të gjenden zgjidhje që do të parandalojnë keqpërdorimet e ardhshme të tokës në pronësi shtetërore”, theksojnë nga Oda e Noterëve për “Fokus”.

