Tiranë, 26 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndau sot pamje nga kantieri i punës në kompaninë “Guna Tactical”, ku po ndërtohet një nga investimet më të rëndësishme të partneritetit publik-privat në industrinë shqiptare të mbrojtjes.
Sipas ministrit, “Guna Tactical” do të prodhojë veshje ushtarake jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe për vendet e tjera”.
Ministri theksoi më tej në videon e ndarë në rrjetet sociale, se mbi 290 punojnë sot në këtë industri, duke cilësuar se numri i tyre do shkojë mbi 1,000 në momentin që kantieri do të jetë plotësisht funksional.
Ndër të tjera, Nufi vendos theksin tek punësimi i njerëzve në këtë industri.
“Jemi krenarë për faktin që kjo industri, jo vetëm gjeneron të ardhura, por punëson njerëz dhe ndikon në komunitet çdo ditë”, tha ai.
“Guna Tactical” është krijuar si një ndërmarrje e përbashkët (joint venture) mes ndërmarrjes shtetërore KAYO dhe kompanisë private MSSC. Në fokus të aktivitetit të saj është projektimi, prodhimi, tregtimi dhe eksporti i uniformave ushtarake dhe aksesorëve, kryesisht për Forcat e Armatosura, strukturat e tjera të sigurisë, vendet e rajonit dhe aleatë të NATO-s.
