Tiranë, 4 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mikpriti sot në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes delegacionin e Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit (New Jersey), të kryesuar nga gjeneral brigade Yvonne L. Mays.
Takimi u zhvillua në kuadër të 25-vjetorit të partneritetit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit, një bashkëpunim dypalësh që ka filluar në vitin 2001 si pjesë e Programit të Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program), i inicuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Përmes një publikimi në rrjetin e tij social, ministri Nufi theksoi se, “në këtë vit jubilar të 25-vjetorit të partneritetit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit, veçojmë me krenari bashkëpunimin e shkëlqyer në drejtim të rritjes së profesionalizmit, modernizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të forcave tona”.
Përgjatë takimit të sotëm me delegacionin e Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, të drejtuar nga gjeneral brigade Yvonne L. Mays, ministri Nufi rikonfirmoi mirënjohjen për mbështetjen e qëndrueshme të SHBA, si dhe gatishmërinë e vendit tonë për të thelluar më tej partneritetin strategjik me SHBA.
