“Nuk e dija që prostitucioni ndalohej me ligj”, rrëfimi i punonjëses së seksit: Më përdornin 6-7 burra në ditë dhe s’kisha askënd të më mbronte

nga Xh M

Me ekspozimin e ofertave të ndryshme sikur të ishin mall, prostitucioni po ushtrohet hapur megjithëse nën frikën e autoriteteve, duke përdorur çdo mundësi ku njeriu tregtohet për shërbime seksuale me një çmim fiks, por që sipas dosjeve hetimore dalin në përgjime duke negociuar.

Të tjera i nënshtrohen formave më të sofistikuara, ku si grackë përdoret mirëbesimi tek një i njohur, një mik, i dashuri, dhe ato pranojnë t’u dhurohet një biletë udhëtimi drejt Shqipërisë, ku pas i pret bllokimi i pasaportës, për të ngecur mes të panjohurës dhe shtëpive të mbyllura, dyert e të cilave hapen vetëm nga klientët. Bileta e kthimit në shtëpi varet nga tutori.

“Biletën Kolumbi-Shqipëri ma bleu trafikanti, udhëtova nga Kolumbia në Panama, nga Panama në Republikën Dominikane, dhe pastaj nga këtu në Madrid, Spanjë, më pas në Romë dhe Tiranë. Mbasi ndenjëm në burg, avokati na informoi që trafikanti ynë kishte bashkëpunuar edhe me trafikantë shqiptarë, por nuk dimë më shumë. Unë njoh vetëm mikun tim që më mashtroi dhe tre persona të tjerë nga Kolumbia. Në vendin tim jam studente dhe jam fëmijë i vetëm, mamin e kam futur në situatë shumë të vështirë.

Mbas arrestimit të trafikantit në Shqipëri, familja e tij ka kërcënuar mamanë, sepse ata më fajësojnë mua që ai përfundoi në burg. Nuk e di nëse ai ka lidhje me njerëz të tjerë të këqinj, këtu apo në Kolumbi, sepse ai ka qenë shumë i rezervuar. Në të vërtetë mendoj që shumë vajza gënjehen. Unë erdha me vullnetin tim të punoja dhe nuk e dija që në Shqipëri prostitucioni është ilegal. Nuk e di pse shumë vajza nga Kolumbia dhe Venezuela vijnë në këtë vend, ndoshta gënjehen si unë, dhe nuk duhet të kenë besim.

E bëja këtë punë në apartament, asnjëherë nuk kam dalë në rrugë apo në bare. Nuk kam dalë kurrë në këto ambiente, sepse trafikanti më thoshte nuk duhet të dilja, duhet të prisja klientët, por kishte edhe raste kur më kërkonin dhe asistonim në festat e klientëve apo na kërkonin dhe shkonim në shtëpitë e tyre”, shprehet një prej tyre.

“Valentina, vajza me të cilën erdha, është nga Medellin, por ajo nuk u arrestua sepse nuk gjetën prova që ta fajësonin për prostitucion. Por unë dyshoj se ajo i fshiu të dhënat nga telefoni i saj, sepse pronarja e njoftoi për aksionin, mbasi më gjetën mua në shtëpi dhe ajo hoqi provat. Nuk kam patur asnjëherë probleme në vendin tim. Por ky profesion është shumë i vështirë, se nuk është e lehtë të frekuentosh shumë burra, ka prej tyre që janë agresivë, që përdorin drogë, që të kërkojnë të bësh shumë shërbime me ta.

Çdo ditë më frekuentonin në shtëpi 6 deri në shtatë burra, dhe është e vështirë të mos kesh askënd që të mbron, sepse nuk na lejohet të krijojmë njohje dhe ne nuk njohim askënd, as emra, as të dhëna të tjera, përveç dy personave që më sollën. Në Kolumbi prostitucioni është i ligjshëm, mikja më tha që do bëjmë një udhëtim nëpër Evropë si fillim, me një person që e kishte si bashkëjetues, por në të vërtetë zbulova se ai ishte klient i saj dhe e merrte si eskortë me udhëtime. Më tregoi se nëse punoja dhe unë si eskortë, do bëja para, por nuk ma tha kurrë çfarë ndodhte. Nuk e di se sa bashkëpunojnë shqiptarët dhe kolumbianët. Burrat vinin në apartamentin që e kishte gjetur shefi me të njohurit e tij, secili nga klientët prenotonte orarin. Kam një rast të vështirë kur isha me shoqen në shtëpi. Kishte porositur vetëm njëri, dhe erdhën katër burra. Kjo ishte e rrezikshme, sepse ne gjendeshim në një vend që nuk e njihnim, ne nuk mund të merrnim policinë.”

Megjithatë deklaratat e punonjëseve të seksit që përsërisin se nuk e dinë që prostitucioni është i ndaluar në Shqipëri, autoritetet i marrin nën hetim për ushtrim prostitucioni. Prokurorët janë të bindur se përtej dritave dhe vetinkriminimit të secilës apo agjencive të eskortave, fshihen trafikantë të mirëfilltë.

“Këto veprimtari, të cilat gjatë veprimeve tona i kemi ndjekur deri tek vajzat e shfrytëzuara me vullnetin e tyre, janë pjesë e një organizimi shumë më të madh, që përfshin një fushë më të gjerë ndërkombëtare si Eurogirl Escort etj. Që prej 2024 kemi rënë në gjurmët e këtyre grupeve që i shfrytëzojnë edhe ato vajza që vijnë me dëshirë. Ata merreshin me ushtrimin e prostitucionit dhe shëtisnin nëpër vende të ndryshme të Europës. Modus operandi është i tillë: personi që hyn në kontakt me agjenci të ndryshme, i ofron punë prostitucioni. Ata pranojnë dhe historia vazhdonte me organizimin, transportimin, lehtësirat logjistike. Organizatoret siguronin bileta udhëtimi, koordinim transporti dhe shtëpi me qira”, thotë prokurori Gjergj Ceka për Exclusive nga Anila Hoxha.

Shefja e hetimit të trafiqeve, Silvana Alimadhi, thotë: “Ne jemi të ndërgjegjshëm që mënyrat e trafikantëve me viktimat janë sofistikuar. Nuk bëhet më fizik, por është zëvendësuar online. Komunikimi dhe transferimi i parave bëhet vetëm në mjedisin dixhital, sigurisht që kjo është shumë e vështirë. Por sfida kryesore e jonë është që në momentin e identifikimit të personave që shfaqen si ushtrues të prostitucionit të thjeshtë, detyra jonë është një hetim më i thellë për të zbuluar nëse kemi vend për trafik personash.”

Për shkak të përdorimit gjithnjë e më shumë të platformave online, departamenti i policisë kriminale po thellon hetimet për trafiqet.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More