NUK E DUROJ DOT

Nga D. V.
586 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Poezi nga: C. K. Williams
Përktheu: Irena Dono[1]

Nuk e duroj dot mënyrën se si ky tingull-psherëtimë e pakërkuar, zë ngashëryes,
Hasëll-hasëll jo tingull, por diçka që ndihet, psherëtimë që ndihet,
vazhdon të rritet tek unë, duke më trazuar, jo me maskimin e tij të vjetër
si nostalgji, thirrje e ëmbël çmendurake e zogut të zi;

jo si kujtesë, pikëllim për gjithë ata njerëz të ikur,
dhe as si ai ngatërrimi tjetër i kujtimit, keqardhjes
për gabimet e pashlyera, gjërat e bëra keq dhe pakujdesitë,
rrënjë të ngurosura shumë thellë për të mos u shkulur kurrë;

njëfarë përzierjeje, një lëmsh i pazgjidhshëm i tretur
prej kënaqësisë së qenies së shtangur, e qenies që jeton
me frikë dhe për një frikë që zor mund ta kuptoj se e ç’lloji është,
jo mosekzistencë e vetes, e të dashurve, dashurisë;

madje as luftë, në djall lufta, psherëtima për luftën,
të qarët me dënesë për luftën, jo për luftën, paqen, ndërprerjen e përkohshme,
por, më shumë se e gjithë kjo, diçka si tingull tokësor, notë tokësore,
e kultivuar te ne tani, që fryhet brenda nesh, të gjithëve ne,

jehonë e dashurisë që patëm dhe kemi
për botën, për botën tonë,
në të cilën ne dukemi më në fund thjesht një mizëri, një vërshim i thjeshtë,
thjesht lëndë e vetëkthyer për të bërë rrëmujë, për të zhurmuar,
blic kakofonik shkatërrimi, plaçkitjeje,

zallamahi nga e cila çdo emocion tani e tutje shpërfaqet,
dhe në të cilën lëkunden, rrëshqasin, fundosen dhe shuhen
psherëtima vajtimesh, ankimesh, zhurmë dënese e pendesë keqardhjeje,
dhe ende, gjithmonë, gëzimi i trishtuar, madje edhe më i trishtuar, më i trishtuar.

________________

[1] Poezia është një meditim i thellë dhe tepër emocional mbi pikëllimin e pashmangshëm dhe ekzistencën e ëmbël dhe të hidhur të njerëzimit. Në vend që të ngrejë zërin kundër luftës apo tragjedisë në kuptimin tradicional, poeti shpreh mospëlqimin për atë trishtim mbytës e të paftuar që ngrihet vazhdimisht përbrenda njeriut, duke e lidhur gëzimin e të qenit gjallë me një ankth gjithëpërfshirës për botën. Poeti trajton pikëllimin e papritur, pendimin e ngatërruar për gabimet njerëzore dhe një melankoli këmbëngulëse e therëse.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër