Shkup, 26 shtator – Janë publikuar imazhe të vulave zyrtare të Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut, institucioni ku zëvendësdrejtor është Mustafa Dauti, që dëshmojnë se gjuha shqipe nuk është prekur fare. Zëvendësdrejtori Dauti thekson se kjo është një dëshmi konkrete se shqiptarët jo vetëm që janë të pranishëm në institucionet e rëndësishme shtetërore, por edhe bartin funksione me përgjegjësi të lartë.
“Vulat zyrtare janë simbol i shtetit dhe garanci e legalitetit të çdo akti administrativ. Fakti që unë, si shqiptar, jam në krye të këtij institucioni me kompetenca të plota, është tregues i barazisë dhe kontributit tonë në shtet”, thekson Dauti. Sipas tij, përfaqësimi i shqiptarëve në doganë, financa dhe institucione të tjera nuk është vetëm çështje funksionesh, por edhe dëshmi se shqiptarët janë pjesë aktive e proceseve vendimmarrëse dhe garantues të ligjshmërisë. “Me vulë dhe me firmë, po dëshmojmë se shqiptarët janë pjesë e barabartë e këtij shteti dhe kontribuojnë me dinjitet”, u shpreh Dauti.
