OAK: Vonesat në trajtimin e ankesave për paraburgim cenojnë të drejtat themelore

Nga D. V.
342 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 25 maj, Zhurnal.mk – Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësim serioz lidhur me, siç thotë ajo, vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve për caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit.

Në komunikatën për media, OAK thekson se Kodi i Procedurës Penale përcakton afate të qarta dhe imperative për trajtimin e këtyre rasteve.

“Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar afate të qarta dhe imperative për trajtimin e këtyre rasteve, pikërisht për shkak se bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor”, thuhet në reagim.

Oda e Avokatëve të Kosovës thekson se në praktikë po vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga gjykatat e instancave më të larta.

“Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve”, thuhet në komunikatë.

Sipas OAK-së, në disa raste krijohen situata kur masa e paraburgimit vazhdohet pa u pranuar ende vendimi i Apelit nga palët.

“Ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak”, theksohet më tej. Oda shton se vonesa më të theksuara raportohen edhe në procedurat pranë Gjykatës Supreme.

OAK vlerëson se respektimi i afateve ligjore është garanci themelore për të drejtat e njeriut.

“Respektimi rigoroz i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk paraqet vetëm obligim procedural, por garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin real të mjeteve juridike”, thuhet në reagim.

Në fund, Oda e Avokatëve të Kosovës u bën thirrje institucioneve gjyqësore që këto raste të trajtohen me prioritet.

“Trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit duhet të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive”, thekson OAK, duke kërkuar forcim të besimit në sistemin e drejtësisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër