Osmani në përvjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit: Një shtet nuk pajtohet me heshtjen për të rënët

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar kolonelin Ahmet Krasniqi në përvjetorin e vrasjes së tij, duke kërkuar drejtësi për vrasjen dhe duke vlerësuar kontributin e tij në ndërtimin e strukturave ushtarake të Kosovës.

Në një reagim të publikuar me këtë rast, Osmani ka thënë se Krasniqi ishte një ushtarak që jetën dhe dijen e tij ia kushtoi Kosovës dhe lirisë së saj.

“Koloneli ishte ndër ata burra që, në ditët më të vështira, nuk u tërhoqën para përgjegjësisë historike”, ka shkruar Osmani, duke theksuar se ai punoi për ndërtimin e strukturave ushtarake që do ta mbronin popullin dhe idealin e lirisë.

Ajo ka kujtuar se Krasniqi u vra në një periudhë kur, sipas saj, Kosova kishte më shumë se kurrë nevojë për njerëz të përkushtuar ndaj saj.

Ajo theksoi se vrasja e tij nuk e vrau idealin për të cilin ai kishte jetuar, ndërsa Kosovën e lirë dhe shtetin e saj i ka cilësuar si dëshminë se sakrifica e Krasniqit nuk ishte e kotë.

Në reagimin e saj, ish-presidentja ka kërkuar gjithashtu drejtësi për vrasjen e kolonelit.

“Një shtet që respekton të rënët e vet nuk pajtohet kurrë me heshtjen për vrasjet e tyre”, ka shkruar Osmani, duke shtuar se e vërteta dhe drejtësia janë detyrim ndaj historisë, familjes së Krasniqit dhe brezave të ardhshëm.

“Lavdi e përjetshme kolonel Ahmet Krasniqit”, ka përfunduar Osmani.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër