Osmani përfundon mandatin, sot ia dorëzon detyrën kryeparlamentares Haxhiu

Nga Xh M
339 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 4 prill Zhurnal.mk – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot, më 4 prill 2026 përfundon mandatin.

Në mungesë të zgjedhjes së presidentit të ri, Osmani detyrën ia dorëzon sot kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes në orën 16:00.

“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzon detyrën Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Zhvillimet e fundit në Kosovë lidhur me çështjen e presidentit janë karakterizuar nga një ngërç i thellë politik. Kuvendi në seancën e caktuar për presidentin nuk arriti ta zgjedh në mungesë të kuorumit, ndërkaq seanca është ndërprerë.

Situata u përshkallëzua më tej pasi presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe paralajmëroi zgjedhje të jashtëzakonshme, vendim që u kontestua dhe u dërgua në Gjykatën Kushtetuese.

E vendimi i Kushtetueses tha se dekreti i Osmanit për shpërndarje të legjislativit s’ka efekt juridik, ndërkaq i ka dhënë kohë Kuvendit 34 ditë për zgjedhjen e presidentit.

Ndryshe, Osmani në krye të shtetit ishte zgjedhur në seancën e 4 prillit 2021, me 71 vota “për”.

Osmani u zgjodh në raundin e tretë të votimit ku votuan 82 deputetë, pasi në raundin e parë dhe të dytë nuk mori votat e nevojshme.

71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmani-Sadriu, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër Nasuf Bejta nuk votoi asnjë deputet.

Para raundit të tretë u zhvillua edhe procedura e dy raundeve.

Në raundin e parë, votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 69 deputetë, 12 vota u shpallën të pavlefshme, ndërsa kundërkandidati i Osmanit, Nasuf Bejta nuk mori asnjë votë.

Në bazë të këtij rezultati u konstatua se asnjëri nga kandidatët nuk i kishte votat e nevojshme për t’u zgjedhur president, aq sa duhen sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në raundin e dytë votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 67 deputetë, 11 vota të pavlefshme, ndërsa kandidati Nasuf Bejta mori 4 vota. As në raundin e dytë, asnjëri nga kandidatët nuk mori vota për t’u zgjedhur president.

Pas votave të nevojshme në raundin e tretë, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu bëri betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e më pas në sallë u intonua himni shtetëror i Republikës së Kosovës.

Me t’u zgjedhur presidente, Vjosa Osmani- Sadriu, mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit.

Presidentja Osmani në fjalimin e saj dha një porosi për vajzat dhe gratë anembanë vendit, duke u thënë se gjithçka është e mundur kur ato ëndërrojnë dhe punojnë për realizimin e ëndrrave të tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër