Panovski: Në Gostivar ka epidemi

Nga Xh M
1,491 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gostivar, 18 korrik Zhurnal.mk – Mikrobiologu Nikolla Panovski vlerëson se në Gostivar ka shpërthyer një epidemi e gastroenteritit dhe ka kritikuar shërbimet epidemiologjike për, siç thotë ai, mungesën e reagimit përballë numrit të madh të qytetarëve të prekur.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Panovski shkruan se, sipas vlerësimit të tij, rreth 1.500 persona janë regjistruar me simptoma të njëjta, ndërsa të paktën edhe 5.000 qytetarë të tjerë nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Në Gostivar ka epidemi të gastroenteritit. Janë regjistruar 1.500 persona me simptoma të njëjta dhe të paktën edhe 5.000 të tjerë nuk janë paraqitur te mjeku. Në një qytet, 30 për qind e popullsisë sëmuret nga e njëjta sëmundje dhe ende thuhet se nuk ka kushte për shpalljen e epidemisë. Epo bravo”, ka shkruar Panovski.

Ai u bëri thirrje epidemiologëve që të ndërmarrin veprime, duke theksuar se bëhet fjalë për përgjegjësi profesionale.

“Epidemiologë, ku jeni? Kjo nuk është politikë, kjo është detyra juaj që të reagoni”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, institucionet kompetente vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e problemeve masive gastrointestinale në Gostivar. Ende priten rezultatet përfundimtare të analizave laboratorike, të cilat do të tregojnë nëse rastet lidhen me ujin e pijshëm apo me ndonjë burim tjetër.

Shënim: Deklaratat për numrin e të prekurve janë vlerësime të bëra nga mikrobiologu Nikolla Panovski dhe nuk përfaqësojnë ende të dhëna zyrtare nga institucionet shëndetësore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër