Shkup, 29 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, ka deklaruar se rreth 260 mijë nga gjithsej 530 mijë punëtorë në vend marrin pagë nën 600 euro, duke rikthyer në fokus kërkesat për rritjen e standardit jetësor dhe pagës minimale.
Në prag të protestës së paralajmëruar për 1 Maj, Trendafilov përmes një postimi në Facebook theksoi se më shumë se 50 për qind e punëtorëve gjatë vitit 2025 marrin pagë më të ulët se 600 euro, shumë që sipas sindikatave është kërkuar të jetë niveli i pagës minimale.
“Pak më shumë se 50% mesatarisht e numrit të përgjithshëm të punëtorëve në vitin 2025 marrin një pagë nën 600 euro, ose atë që punëtorët kërkuan të ishte paga minimale”, ka shkruar Trendafilov, përcjell Zhurnal.mk.
Ai, në prag të protestës së 1 Majit, u ka drejtuar edhe një pyetje simbolike punëtorëve lidhur me gatishmërinë e tyre për të reaguar ndaj kushteve ekonomike, duke ofruar tri opsione: të protestojnë, të mos bëjnë asgjë ose të shfrytëzojnë fundjavën e gjatë.
