Prodhimi i anijeve luftarake në Pashaliman, Folgiero: Vizion inovativ për tregun evropian

Nga D. V.
401 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 prill, Zhurnal.mk – Shqipëria dhe Italia do të prodhojnë së bashku anije luftarake, të cilat fillimisht do të jenë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe më tej do të prodhohen edhe për eksport.

Prodhimi i anijeve luftarake do të realizohet nga kompania “KAYO”, e cila do të bashkëpunojë për këtë qëllim me shoqërinë italiane të prodhimit të anijeve “Fincantieri” S.p.A. Për të konkretizuar këtë bashkëpunim, sot në Tiranë u nënshkrua marrëveshja mes kreut të KAYO-s, Ardi Veliu, dhe drejtorit të përgjithshëm të “Fincantieri”-t, Pierroberto Folgiero.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Kryeministri ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, ambasadori i Italisë në vendin tonë Marco Alberti, si dhe përfaqësues të kompanisë italiane.

Pierroberto Folgiero, drejtor i përgjithshëm i “Fincantieri” S.p.A., në fjalën e tij tha se përmes kësaj marrëveshjeje kompania që ai drejton do të sjellë në Shqipëri një vizion inovativ në prodhimin e anijeve luftarake.

“Jemi shumë të lumtur që sot po marrim pjesë në këtë event. Është një transformim i një marrëveshjeje të përgjithshme në një iniciativë të vërtetë industriale. Shpesh marrëveshjet e përgjithshme janë të vështira për t’u shndërruar në pjesë të industrisë apo në një realitet të prekshëm fizik, dhe fakti që arritëm ta realizojmë me sukses është arsyeja e parë për t’u ndjerë të lumtur”, tha ai.

“Arsyeja e dytë është ajo që sapo kemi diskutuar, ku kemi shumë strategji dhe ambicie pas kësaj marrëveshjeje. Nuk është vetëm dëshira për të ndjekur një program, por dëshira për të krijuar diçka produktive. Kemi treguar pak më parë, si karakteristikat evropiane janë në një fazë rinisje, rivitalizimi. Sistemi i ‘Fincantieri’-t, ka për nevojë dhe vizion për të zhvilluar një produkt, që të shërbejë fillimisht për ushtrinë e Shqipërisë dhe më pas dhe për të qenë një trampolinë për një operacion industrializimi të kësaj pjese të Evropës dhe të mundësojmë një produkt për eksport.

Duam të sjellim një vizion të ri në prodhimin e anijeve dhe në mënyrën se si mund të konkurrojmë në Evropë përmes këtij produkti”, përfundoi Folgiero.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër