Prizren, 16 qershor Zhurnal.mk – Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve për vrasjen që ndodhi më 14 qershor në fshatin Kobaj të Prizrenit.
Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri Sh. O. dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa e dyshuara A. O. për “shtytje në vrasje të rëndë”. Masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 14 korrik 2026.
Sipas dyshimeve të ngritura deri në këtë fazë të procedurës, Sh. O. dhe një i mitur, A. O., dyshohet se, të shtyrë nga A. O., nëna e të pandehurve, pas një konflikti të mëhershëm dhe një përplasjeje verbale e fizike me viktimën A. O. dhe të dëmtuarin I. O., kanë përdorur thika ndaj tyre.
Si pasojë e plagëve të marra në gjoks, viktima A. O. ka humbur jetën, ndërsa I. O. ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetën dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat për të cilat ngarkohen dhe se paraburgimi është i nevojshëm për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit në dëshmitarë apo pengimit të zhvillimit të procedurës penale.
Po ashtu, sipas gjykatës, pesha e veprave penale, mënyra e kryerjes së tyre dhe rrethanat e rastit krijojnë rrezik që të pandehurit, nëse lihen të lirë, mund të përsërisin vepra penale të ngjashme.
