Podgoricë, 21 Mars, Zhurnal.mk – Partia kryesore opozitare e Malit të Zi dhe më e madhja në vend, dje i ka paraqitur propozimet e saj kuvendit për ndryshime në sistemin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare dhe komunale të vitit 2027, duke kërkuar që të kalohet në sistemin e listave plotësisht të hapura për t’iu mundësuar qytetarëve të votojnë drejtpërdrejt për kandidatët e tyre të preferuar që duan të garojnë për vende në kuvendin me 81 ulëse dhe asambletë komunale.
Propozimi i ligjit iu dërgua kuvendit nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), raportuan mediat lokale, si pjesë e reformës së nevojshme të sistemit zgjedhor në vendin kandidat për në BE, shkruan Zhurnakl.mk.
“Ky propozim do të vihet në një debat publik që ne do ta organizojmë dhe do t’i kërkojmë komunitetit të medias, shoqërisë civile, komunitetit akademik, institucioneve kompetente të pavarura dhe palëve të tjera të interesuara propozime për ndryshime të mëtejshme në Ligjin për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Përfaqësuesve, me qëllim që të merret një propozim që pasqyron një ligj zgjedhor gjithëpërfshirës të reformuar përmes një ndryshimi në ligj”, thuhet në një deklaratë për media të DPS-së.
Deri më tash, qytetarët votonin përmes sistemit me lista të mbyllura, kur mund të votonin vetëm për partinë, por jo për kandidatët. Me sistemin aktual, është vetë partia ajo që zgjedhë se kush do të jetë anëtar i parlamentit dhe i kuvendeve komunale përmes listës së tyre të brendshme të anëtarëve.
DPS iu bëri thirrje partive të tjera të opozitës që të bashkohen me thirrjen për ndryshime në sistemin zgjedhor.
Edhe në Maqedoni të Veriut, ashtu si edhe tash për tash në Mal të Zi, e pjesërisht edhe në Shqipëri, sistemi zgjedhor është me lista të mbyllura, pra qytetarëve nuk iu lejohet që vet të zgjedhin kanditatët e partive për ulëse në kuvend, shkruan Zhurnal.mk
Sistemet zgjedhore me lista plotësisht të hapura u lejojnë votuesve që të hedhin votën për kandidatët individualë në listën e një partie. Sipas sistemeve me lista plotësisht të hapura, kontrolli mbi atë se kush zgjidhet është tërësisht në duartë e votuesve – kandidatët me më shumë vota individuale zgjidhen.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në Mal të Zi para 30 qershorit 2027.
