Tiranë, 21 mars, Zhurnal.mk – Ministri i ri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë tha se diskutoi dje në telefon me homologun e tij kroat mbi një zgjatje të propozuar disa vite më parë të tubacionit të gazit nga Shqipëria – përmes Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës – për në Kroaci, e cila kishte për qëllim të sillte më shumë gaz natyror në vendet e rarjonit nga Azerbajxhani, por që është pothuajse projekt i vdekur dhe deri më tani nuk janë bërë hapa konkretë për ta ndërtuar atë, raporton dtt-net.com.
“Theksuam rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në sektorë kyç, përfshirë ekonominë, energjinë, mbrojtjen dhe turizmin. Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të ndërlidhjes dhe sigurisë energjetike përmes projekteve madhore rajonale, si Korridori Adriatiko-Jonian, Gazsjellësi Trans Adriatik dhe zgjerimi i tij me Gazsjellësin Joniano-Adriatik [IAP]”, si dhe mbi Iniciativën e Tre Deteve — shtylla të rëndësishme për rritjen dhe qëndrueshmërinë në Evropën Juglindore,” tha ministri i Shqipërisë Ferit Hoxha përmes X, lidhur me bisedën telefonike me homologun e tij kroat Gordan Grlić-Radman, shkruan Zhurnal.mk
As zyra e Hoxhës dhe as ajo e Grlić-Radman nuk iu përgjigjën pyetjeve të dtt-net.com kur u pyetën përmes emailit nëse të dy ishin pajtuar për ndonjë hap të ardhshëm eventualë për të ringjallur projektin e propozuar shumë vite më parë.
Komisioni Evropian (KE) gjithashtu nuk iu përgjigj deri më tani emaileve në lidhje me projektin e planifikuar prej mbi 500 km të gjatë, aq shumë të përfolur por jo të realizuar.
Sipas parashikimeve fillestare, segmenti i propozuar i tubacionit IAP do të kishte lidhur sistemet ekzistuese dhe të planifikuara të transmetimit të gazit të Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës (BiH), Malit të Zi dhe Shqipërisë me tubacionin TAP të BE-së, i cili sjell gaz të Azerbaijanit në Greqi, Bullgari dhe Itali.
Tubacioni i propozuar IAP ka një gjatësi totale prej 531 km: 170 km në Shqipëri, 96 km në Mal të Zi, 20 në BiH dhe 245 km në Kroaci.
Në vitin 2023, qeveria e atëhershme e Malit të Zi ka pasur gjithashtu bisedime mbi IAP me Azerbajxhanin, por asgjë nuk ndodhi.
Zyrtarë të mëparshëm të Shqipërisë kanë pasur gjithashtu diskutime me homologët e Malit të Zi.
Ndërkohë, Kroacia ka tashmë funksionale një terminal lundrues të LNG-së në ishullin Krk, dhe po merr gaz nga SHBA-të dhe tash po përgatitet që të ndërtojë ndërlidhësin e saj të gazit me rajonin boshnjako-kroat në BeH për të furnizuar atë me LNG të SHBA-ve.
