Pas katër ditësh protesta, fermerët në Strumicë arrijnë marrëveshje për çmimin e specit të kuq

Nga D. V.
535 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 gusht, Zhurnal.mk – Në vend të 25 denarëve, nga nesër, në pikat e grumbullimit në Strumicë, speci i kuq për ajvar, i destinuar për industrinë e konservimit dhe të përpunimit, do të blihet me 30 denarë për kilogram, përcjell Nistori.

Marrëveshja u arrit pas katër ditësh protesta të fermerëve.

Ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski, pas takimeve me bujqit, njoftoi se, duke filluar nga nesër, speci i kuq do të blihet me çmim prej 40 denarësh për kilogram për klasën e parë, 30 denarësh për klasën e parë–të dytë, përkatësisht për specin e destinuar për kapacitetet industriale, ndërsa çmimi për klasën e dytë do të jetë 15 denarë për kilogram.

“Apeloj si te grumbulluesit, ashtu edhe te bujqit, që të bëjnë klasifikim real të specit të kuq në pikat e grumbullimit dhe të mos e kthejnë prodhimin. Për të shmangur manipulimet e mundshme, nga nesër do të intensifikohen kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë”, tha Serafimovski.

Sa i përket afatit për pagesën e specave, ai tha se nevojiten ndryshime ligjore. Lidhur me subvencionet, ministri bëri të ditur se janë ndarë 1,2 milionë denarë, të cilat, në mbledhjen e parë të Qeverisë, do të dedikohen për blegtorët dhe bujqit, me qëllim që pagesat të kryhen deri në fund të gushtit.

Bujqit nga rajoni i Strumicës u shprehën të kënaqur me marrëveshjen e arritur pas disa ditësh protesta. Ata presin që marrëveshja të zbatohet edhe në praktikë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër