Prishtinë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti, shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës, Kabashi-Ramaj kërkoi përgjegjësi politike dhe institucionale, duke thënë se Arlinda kishte kërkuar ndihmë dhe i kishte paralajmëruar institucionet se jeta e saj ishte në rrezik, por nuk ishte arritur të mbrohej.
Ajo iu referua edhe afatit prej 72 orësh që, sipas saj, kryeministri e kishte kërkuar për të siguruar llogaridhënie lidhur me rastin.
“Nëse sot nuk kemi raport të plotë, përgjegjësi të identifikuara dhe masa konkrete, atëherë çfarë vlere ka fjala e kryeministrit? Më e pakta që mund të bëni është shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministres së Drejtësisë”, deklaroi Kabashi-Ramaj.
Deputetja e PDK-së theksoi se përgjegjësia e ministrave nuk kufizohet vetëm në drejtimin e institucioneve kur gjithçka shkon mirë, por duhet të shtrihet edhe në rastet kur sistemi dështon.
“Ministrat nuk janë aty vetëm për të drejtuar institucione kur gjithçka shkon mirë. Janë aty për të mbajtur përgjegjësi edhe kur sistemi dështon”, tha ajo.
Gjatë fjalimit, Kabashi-Ramaj kritikoi qeverinë për atë që e cilësoi si mungesë rezultatesh në mbrojtjen e grave, duke theksuar se siguria e tyre duhet të garantohet në çdo rrethanë.
“Siguria kombëtare nuk fillon vetëm në kufijtë tanë. Fillon në shtëpitë tona. Në rrugët tona. Në të drejtën e çdo vajze për t’u rritur pa frikë dhe të çdo gruaje për të jetuar e lirë”, u shpreh ajo.
Në fund, deputetja kërkoi veprime konkrete dhe përgjegjësi për dështimet institucionale.
“Mos kërkoni më kohë për të shpjeguar dështimet. Merrni përgjegjësinë për t’i korrigjuar ato. Sepse një Republikë që nuk i mbron gratë e vajzat, ende nuk e ka përmbushur premtimin e lirisë së saj”, përfundoi Kabashi-Ramaj.
