Pauzë pas pauze, akoma mbetet e bllokuar seanca për pyetjet deputetësh

Nga D V
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Në vend që të zhvillohej me parashtrimin e pyetjeve deputetësh, seanca e sotme e Kuvendit sërish kaloi nën shenjën e bllokadave, akuzave të ndërsjella dhe pauzave të shpeshta.
Deputetja Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës kërkoi përgjigje nga kryeministri Hristijan Mickoski për pyetjen që ia kishte parashtruar në seancën e kaluar.

Sipas Dautit, po të kishte marrë përgjigje atëherë, nuk do të ishte detyruar ta përsëriste pyetjen dhe të bllokonte seancën, duke refuzuar të largohej nga mikrofoni. Ajo paralajmëroi për “lojë të rrezikshme” të Mickoskit dhe Qeverisë, jo vetëm me instrumentin e pyetjeve deputetësh dhe llogaridhënien para qytetarëve, por edhe me demokracinë në Maqedoni.

Në seancën e kaluar, Dauti kishte kërkuar që kryeministri të deklarohej për përfaqësimin e drejtë, në lidhje me ligjin e ri që Qeveria ka përgatitur si zëvendësim të Balancerit. Edhe pse ajo disa herë, proceduralisht dhe drejtpërdrejt, kërkoi që Mickoski të dilte dhe t’i përgjigjej, ai vetëm e shikonte pa reaguar.

Pas pyetjes së parashtruar nga deputeti dhe lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, Mickoski iu përgjigj atij, duke e injoruar sërish Dautin. Para se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, t’i jepte fjalën Filipçes për të thënë nëse ishte i kënaqur me përgjigjen, Dauti doli përsëri në foltore, por shërbimet nuk ia aktivizuan tonin.

“Nëse kjo reagim procedural është sërish për të njëjtën gjë, do të jetë e fundit për sot”, tha Gashi me nervozizëm.

Dauti iu përgjigj:
“Faleminderit Afrim Gashi, shpresoj të mos vazhdoni të lexoni në gjuhën arabe. Kërkoj kryeministri të japë përgjigje me gojë. Ai e injoron pyetjen. Qytetarët na kanë zgjedhur të kemi integritet, jo të jemi shërbëtorë. Nuk largohem nga foltorja derisa të marr përgjigje për pyetjen e parashtruar. Ose dilni të përgjigjeni, ose seanca nuk vazhdon më”.

Në foltore iu bashkua edhe lideri Ziadin Sela, i cili qëndroi pranë saj për ta mbështetur. Seanca vazhdoi në të njëjtin stil, me një sërë reagimesh procedurale dhe katër pauza të shpallura.

Pas njërës prej pauzave, deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyqi akuzoi se kryeministri qëllimisht nuk u përgjigjet pyetjeve deputetësh, me synim që të krijojë problem dhe të bllokojë këtë seancë, e cila mbahet çdo të enjte të fundit të muajit.

“Gjeni tre minuta dhe përgjigjuni deputetes Dauti. Rregullorja thotë se nëse nuk mundet me gojë, kryeministri ose ministri mund të përgjigjet me shkrim, por brenda 20 ditëve. Nuk mund të jenë 30 apo 40 ditë. Rregullorja thotë 20 ditë. Këtu shoh strategji të qëllimshme të pushtetit për t’i ikur pyetjeve deputetësh”, tha Bytyqi.

Pas tij, Dauti sërish kërkoi fjalën për reagim procedural — dhe sërish për të njëjtën çështje.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër