PD i drejtohet ambasadave për çështjen e paraburgimit në Gjykatën e Lartë

Nga D. V.
377 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 1 prill, Zhurnal.mk  – Grupi parlamentar i Partisë Demokratike u ka drejtuar një letër zyrtare ambasadave në Tiranë, ku shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Konkretisht, PD i referohet mbledhjes së Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë më 9 prill, për të shqyrtuar çështje që lidhen me masën e sigurisë ‘arrest në burg’ (paraburgim).

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi nënvizon se “kjo paraqet një nismë personale të kryetarit Sokol Sadushi, pa një justifikim ligjor mbi bazën e saj”.

Kjo nismë, sipas Bardhit, vjen në një moment delikat për luftën kundër korrupsionit në vend, ku një numër zyrtarësh të lartë dhe ish-zyrtarësh janë aktualisht nën hetim ose subjekt i masave të sigurisë për akuza të rënda, përfshirë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.

Aktualisht, Bardhi theksoi se i vetmi zyrtar i lartë në detyrë që ndodhet në burg është kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Gjithashtu, Bardhi shpreh shqetësimin se ky vendim mund të ndikojë edhe disa figura të profilit të lartë të krimit të organizuar që aktualisht ndodhen në paraburgim.

“Në të njëjtën kohë, deklaratat e fundit publike nga përfaqësues të lartë të pushtetit ekzekutiv, përfshirë Kryeministrin, kanë shprehur kritika ndaj përdorimit të ‘arrestit në burg’ dhe praktikës më të gjerë të paraburgimit. Këto deklarata kanë ngritur shqetësime shtesë lidhur me perceptimin e mundshëm të ndikimit ose presionit ndaj institucioneve të drejtësisë në një moment kaq të ndjeshëm”, thuhet më tej në letrën e PD-së drejtuar ambasadave.

Sipas PD-së, ekziston një shqetësim i arsyeshëm publik se një interpretim i ri ose më i butë i kësaj mase sigurie mund të çojë në ndryshime në statusin e personave të ndaluar, përfshirë figura të profilit të lartë politik dhe të krimit të organizuar.

Një zhvillim i tillë, sipas Bardhit, mund të ndikojë ndjeshëm besimin e publikut në pavarësinë e gjyqësorit dhe seriozitetin e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta.

“Lufta kundër korrupsionit dhe mbajtja përgjegjëse e zyrtarëve të lartë janë shtylla thelbësore për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Çdo përpjekje që cenon luftën kundër korrupsionit, punën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), apo ndjekjen dhe ndëshkimin e duhur të figurave të larta politike, rrezikon gjithashtu të minojë rrugën e integrimit evropian të vendit”, thuhet më tej në letër.

Në këtë kontekst, PD kërkon nga ambasadat që të monitorojnë nga afër procesin dhe vendimmarrjen e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, si dhe të inkurajojnë transparencën dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të shtetit të së drejtës.

“Mbështesni institucionet shqiptare në garantimin e një sistemi drejtësie të paanshëm, të pavarur dhe konsistent. Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë është një element kyç për stabilitetin demokratik dhe integrimin evropian të Shqipërisë. Për këtë arsye, çdo vendim me ndikim të gjerë duhet të bazohet në parime të forta ligjore dhe të mbrohet nga çdo perceptim i ndikimit politik”, thuhet në letrën e PD-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër