Tiranë, 25 shtator, Zhurnal.mk – Partia Demokratike kërkoi sot sqarime lidhur me një pagesë prej 8.6 milionë lekësh që sipas saj është kryer në favor të kompanisë “TIMAK Defence”, për blerjen e automjeteve për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tha se kronologjia e dokumenteve ngre pikëpyetje mbi kohën e lëshimit të faturës në raport me procedurën dhe lidhjen e kontratës.
Sipas Vangjelit, më 8 korrik 2026, “TIMAK Defence” ka lëshuar faturën nr. 83/2026. Më pas, më 22 korrik, është nxjerrë urdhri nr. 3419/6 për zhvillimin e procedurës, ndërsa më 6 gusht është lidhur kontrata nr. 3419/8.
Në fund, më 18 gusht 2026, sipas PD-së Thesari ka kryer pagesën prej 8,641,296 lekësh, e përshkruar si parapagim për blerjen e automjeteve për IKMT.
PD thekson se, sipas kësaj kronologjie, fatura është lëshuar 14 ditë përpara urdhrit për zhvillimin e procedurës dhe 29 ditë përpara lidhjes së kontratës.
Partia Demokratike kërkoi nga Ministria e Brendshme shpjegime mbi mënyrën se si është lëshuar fatura përpara nisjes së procedurës dhe lidhjes së kontratës.
“Faturat nuk mund të paraprijnë procedurat. Kontratat nuk mund të justifikojnë retroaktivisht faturat. Paratë publike nuk mund të shpërndahen pa transparencë. Dokumentet janë aty. Tani presim përgjigjet”, tha Vangjeli.
