PDK dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit dhe anëtarëve të Qeverisë për mbajtjen e pozitave të dyfishta

Nga D V
436 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 26 gusht, Zhurnal.mk – Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kallëzim penal ndaj Albin Kurtit dhe anëtarëve të Qeverisë në dorëheqje, lidhur me ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve ekzekutive dhe mandateve të deputetëve, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda në në konferencë për media tha se duhet intervenimi i Prokurorisë për të mundësuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi.

 “Siç dihet ne nuk e kemi të paraparë si vepër penale moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por të gjykatave të rregullta siç është Gjykata Supreme. Po ashtu në kallëzim kemi përmendur edhe shpërdorimin e detyrës zyrtare, sepse duke mbajtë funksione të paligjshme janë shpërndarë mijëra euro në disa vendime që janë marrë nga Qeveria e Kosovës dhe kjo situatë nuk mund të vazhdojë”, tha Gruda.

Sipas dokumentit të datës 26 gusht 2026, PDK vlerëson se ekziston dyshimi për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe për “mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore”, sipas dispozitave të Kodit Penal të Kosovës.

Në kallëzim, Albin Kurti cilësohet si i dyshuar së bashku me anëtarët e tjerë të Qeverisë në dorëheqje që janë certifikuar dhe betuar si deputetë të Legjislaturës XI.

Nga 6 korriku 2026 e tutje, të kallëzuarit kanë vazhduar të ushtrojnë njëkohësisht funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe mandatin e deputetit, ndonëse, sipas kallëzimit, këto funksione janë të papajtueshme.

Në dokument thuhet se më 12 gusht 2026, të dyshuarit, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë mbajtur mbledhjen nr. 32 të Qeverisë dhe kanë nxjerrë 24 vendime.

Në mesin e tyre ka pasur edhe vendime me pasoja të drejtpërdrejta financiare, përfshirë ndarjen e 100 mijë eurove, dhënien me qira të pronës publike me vlerë kontraktore prej 23 mijë e 205 eurosh, inicimin e dy shpronësimeve me kompensim nga buxheti, si dhe emërimin e komisioneve të pranimit për pozita të larta drejtuese.

Me këto veprime janë tejkaluar kompetencat e një Qeverie në dorëheqje dhe janë shkelur kufizimet kushtetuese dhe ligjore që lidhen me ushtrimin e mandatit të deputetit dhe funksioneve në ekzekutiv.

Kallëzimi penal i është adresuar Prokurorisë Speciale, së cilës i kërkohet trajtimi dhe hetimi i pretendimeve të ngritura në dokument.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër