Prishtinë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar edhe sot konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit të Kosovës dhe përfundimin e asaj që e konsideron krizë shtetërore të shkaktuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një njoftimi, PDK ka deklaruar se sot shënohet dita e 27-të e, siç e cilëson kjo parti, “përmbysjes së rendit kushtetues”.
“PDK kërkon konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit dhe përfundimin e krizës shtetërore të shkaktuar nga Albin Kurti”, thuhet në njoftimin e partisë.
PDK u ka bërë thirrje të gjithë atyre që, sipas saj, janë për demokraci, respektim të rendit kushtetues dhe funksionim normal të institucioneve të shtetit, që të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit.
Seanca është paralajmëruar të mbahet sot në orën 11:00.
“E kush është për demokraci, rend kushtetues dhe funksionim normal të shtetit, i presim sot në sallën e Kuvendit, në orën 11:00. PDK do të jetë aty!”.
