Uashington, 14 maj Zhurnal.mk – Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka ndaluar dislokimin e më shumë se 4 000 ushtarëve nga një brigadë luftarake drejt Evropës, raportuan mediet në një vendim që ka surprizuar disa zyrtarë ushtarakë.
Vendimi u komunikua gjatë një takimi ku morën pjesë përfaqësues të Komandës Europiane të ushtrisë amerikane, “United States European Command” (EUCOM), raportoi “The Wall Street Journal” duke cituar një zyrtar të Pentagonit.
Ushtarët pritej të dislokoheshin në Poloni për një rotacion të planifikuar nëntëmujor.
Ushtria amerikane kishte deklaruar në mars se brigada do të zëvendësonte forca të tjera si pjesë e një rotacioni rutinë.
Sipas “Wall Street Journal”, një pjesë e pajisjeve dhe personelit ishte tashmë rrugës, duke bërë që disa zyrtarë të ushtrisë të mbeteshin të papërgatitur nga vendimi.
Gazeta, duke cituar disa zyrtarë të Pentagonit, raportoi se EUCOM kishte rekomanduar që më shumë se 4 000 ushtarët të mos zëvendësoheshin pas përfundimit të dislokimit të tyre disa mujor, por nuk kishte kërkuar anulimin e menjëhershëm të misionit.
Platforma e lajmeve të mbrojtjes “Task & Purpose” raportoi se trupat pritej të bashkëpunonin kryesisht me forcat partnere në Poloni si pjesë e Operacionit “Operation Atlantic Resolve”, një mision amerikan i nisur në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Rusia për të mbështetur aleatët e NATO-s në Evropë.
Raportimet vijnë rreth dy javë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth urdhëroi tërheqjen e rreth 5 000 trupave amerikane nga Gjermania.
