Për gati dhjetë muaj ndodhet në arrest shtëpiak, Gjoko Ristov gjatë gjithë kësaj periudhe ka marrë pagë sikur të ishte në detyrë

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 05 tetor, Zhurnal.mk – Edhe pse që nga janari i këtij viti, për gati dhjetë muaj, ndodhet në arrest shtëpiak dhe nuk shkon në punë, gjykatësi Gjoko Ristov gjatë gjithë kësaj periudhe ka marrë pagë sikur të ishte në detyrë, ndërsa vetëm javën e kaluar, më 30 shtator, Këshilli Gjyqësor e ka shkarkuar nga funksioni, raportoi SDK.mk.

Ristov, në shtëpinë e prindërve të të cilit ishte gjetur një shumë e madhe parash e fshehur në murin e kuzhinës, deri tani kishte qenë vetëm i suspenduar dhe i larguar nga vendi i punës, por jo edhe i shkarkuar nga funksioni i gjyqtarit.

“Për shkak të kryerjes joprofesionale dhe të papërgjegjshme të funksionit gjyqësor, gjyqtari shkarkohet nga ushtrimi i funksionit gjyqësor”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor, pa u bërë i ditur emri i gjyqtarit.

Bashkëshortja e Ristovit reagoi në Facebook, duke shkruar se vendimi i Këshillit Gjyqësor për bashkëshortin e saj nuk e kishte befasuar. Ajo gjithashtu pretendoi se shkarkimi i tij ishte bërë nën presion ndaj anëtarëve të organit më të lartë gjyqësor.

Procesi gjyqësor ndaj Ristovit, i cili, ndër të tjera, akuzohet edhe se ka dhënë të dhëna të rreme për pasurinë e tij dhe të anëtarëve të familjes, e cila, sipas aktakuzës, tejkalon në masë të konsiderueshme të ardhurat e tij të ligjshme, ka nisur më 28 maj.

SDK.mk rikujton se rekordin për një funksionar të akuzuar ose të ndaluar, i cili nuk ka shkuar në punë dhe gjatë gjithë asaj kohe ka marrë pagë, e mban ish-kryetari i Komunës së Manastirit, Vladimir Taleski, në lëndën e ish-Prokurorisë Speciale Publike të njohur si “Transportuesi”.

Gjatë një kontrolli në Gjykatën e Apelit në Shkup ishte konstatuar se gjykatësi tashmë i shkarkuar Enver Bexheti e kishte mbajtur lëndën në sirtar për më shumë se dy vjet e gjysmë, ndërsa i akuzuari Taleski gjatë gjithë kësaj periudhe kishte marrë rregullisht pagë nga Teatri i Manastirit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër