Prishtinë, 3 shtator Zhurnal.mk – Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se, për herë të parë në historinë e Qendrës për Studime Universitare, një kadet i QSU-së ka nisur studimet semestrale në Universitetin Norwich, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me bursë studimi.
Sipas FSK-së, kjo arritje shënon një moment të rëndësishëm për QSU-në dhe dëshmon përkushtimin për avancimin e edukimit ushtarak dhe akademik të kadetëve.
“Njëkohësisht, kjo arritje tregon edhe një herë qasjen dhe vizionin e KOMFSK Gjeneral Jashari dhe KOMQSU Major Budeci për avancimin e shkollimit ushtarak, zhvillimin profesional të kadetëve dhe krijimin e mundësive të reja për edukim dhe përvojë akademike ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
FSK-ja ka theksuar se suksesi i kadetit dëshmon se kadetët e QSU-së kanë arritur nivel akademik, profesional dhe ushtarak që u mundëson të jenë të barabartë dhe konkurrues me bashkëmoshatarët e tyre nga akademitë dhe universitetet më prestigjioze në botë.
“Kjo mundësi është më shumë se një përvojë individuale akademike; ajo përfaqëson një investim në gjeneratën e ardhshme të oficerëve të FSK-së dhe një dëshmi të potencialit që kanë kadetët tanë për të përfaqësuar denjësisht Kosovën në institucionet më të njohura akademike dhe ushtarake ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
