Shkup, 20 gusht, Zhurnal.mk – Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka konstatuar bazë për dyshim se është kryer vepër penale në prokurimet publike të lidhura me ndërtimin e 19 spitaleve modulare.
Pas kontrolleve të kryera dhe analizës së dokumentacionit të mbledhur, prokurori kompetent ka vlerësuar se nuk ka bazë për dyshim për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar sipas nenit 353 të Kodit Penal, as për ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Lënda ishte formuar më 10 shtator 2021, me qëllim verifikimin e dokumentacionit të prokurimeve dhe përcaktimin nëse në zbatimin e tyre ekzistojnë elemente të veprës penale.
Gjatë procedurës u sigurua dokumentacion nga disa institucione, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave – Byroja për Prokurime Publike, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Ministrinë e Shëndetësisë, Qeverinë dhe Prokurorinë Publike në Tetovë. U analizuan prokurimet publike, specifikimet teknike, kontratat, dokumentacioni projektues dhe aktet ligjore relevante.
Prokuroria konstatoi se në periudhën prill–qershor 2020 u zhvilluan tre procedura për sigurimin e kapaciteteve shtesë të sistemit shëndetësor për përballimin e pandemisë së Covid‑19. Ato kishin të bëjnë me kontejnerë montues pranë Klinikës për sëmundje infektive në Shkup, pajisje jo‑mjekësore për Qendrën rajonale Covid dhe formimin e një reparti modular ambulant‑poliklinik për Klinikën e Pulmologjisë dhe Alergologjisë.
U shqyrtua edhe procedura për furnizimin e kontejnerëve modularë në kuadër të Projektit për përballim urgjent me Covid‑19, i financuar me hua nga Banka Botërore. Sipas Prokurorisë, procedura ishte zhvilluar sipas rregullave të institucionit financiar ndërkombëtar, përmes kërkesës për oferta në tregun ndërkombëtar.
Byroja për Prokurime Publike konfirmoi se në këtë rast nuk zbatohen dispozitat e Ligjit për Prokurime Publike, sipas përjashtimit ligjor për furnizime që zhvillohen sipas rregullave të një organizate ndërkombëtare.
Në kuadër të kontrolleve u analizua edhe rregullativa nga fusha e ndërtimit. Thirrja publike u shpall më 13 tetor 2020, ndërsa kontrata u nënshkrua më 30 nëntor të po atij viti. Ndërkohë, me ndryshimet e Ligjit për Ndërtim të 24 nëntorit 2020, ndërtimet modulare për veprimtari shëndetësore u përfshinë në kategorinë e objekteve për të cilat nuk nevojitet leje ndërtimi.
Nga dokumentacioni rezultoi se një pjesë e institucioneve shëndetësore publike kishin vendime nga Ministria e Shëndetësisë për vendosjen e objekteve modulare, si dhe dokumentacion projektues përkatës.
Prokuroria shqyrtoi edhe dokumentacionin për aktivitetet e Bankës Botërore pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë. Në tetor 2021 u vizituan objektet në Gostivar, Strugë, Prilep, Veles dhe Shtip, ku u kontrollua përputhshmëria me standardet projektuale, siguria dhe mbrojtja kundër zjarrit.
Sipas dokumentacionit të mbledhur, ekipi i Bankës Botërore konfirmoi se procedura e furnizimit ishte zhvilluar sipas rregullave në fuqi të bankës dhe se mallrat e dorëzuara përputheshin me specifikimet teknike të përcaktuara.
Pas analizës së të gjitha provave dhe kontrolleve të kryera, Prokuroria nuk konstatoi fakte që do të tregonin se ndonjë person zyrtar ka shfrytëzuar ose tejkaluar pozitën dhe autorizimin zyrtar, apo nuk e ka kryer detyrën me qëllim përfitimi të kundërligjshëm ose shkaktimit të dëmit të konsiderueshëm.
Për këtë arsye, prokurori kompetent vlerësoi se faktet e konstatuara nuk i plotësojnë elementet ligjore të veprës penale „Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar“, dhe u konstatua se nuk ka bazë për dyshim për vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare, prandaj nuk ka vend për procedim të mëtejshëm nga Prokuroria Publike për këtë lëndë.
