Sarandë, 23 korrik Zhurnal.mk – Policia e Shqipërisë apeloi sot për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve lundruese, drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët, për shkak të parashikimeve për përkeqësimin e kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike.
Sipas Policisë së Shtetit, duke filluar nga mesdita e datës 24 korrik 2026 deri në paraditen e datës 25 korrik 2026, mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, në det të hapur dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, duhet të shmangin daljet në det për shkak të kushteve të pafavorshme hidrometeorologjike gjatë këtij harku kohor.
Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese duhet të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë përkeqësimin e kushteve të motit dhe të shmangin çdo dalje në det që mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të personave në bord.
Policia e Shtetit apelon gjithashtu për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, kufijtë e shpejtësisë dhe distancën e sigurisë, si dhe duke shmangur manovrat e rrezikshme.
Këmbësorët po ashtu këshillohen të tregojnë vëmendje dhe kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në kushtet e reshjeve apo lagështirës në rrugë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve të vogla lundruese, mjeteve të peshkimit dhe të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal, jo vetëm gjatë këtij harku kohor, por në vijimësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës.
