Pesë kandidatë në garë për kreun e Prokurorisë për Krim të Organizuar

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 tetor, Zhurnal.mk – Pesë kandidatë janë në garë për drejtimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të Islam Abazit, i cili ishte zgjedhur në këtë detyrë në vitin 2022, shkruan Zhurnal.mk.

Sipas listës zyrtare të kandidatëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, për këtë pozitë garojnë Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski.

Faton Azizi, i cili që nga viti 2024 punon në Prokurorinë për Krim të Organizuar, ka qenë i angazhuar në lëndët “Aditiv”, “Botoks” dhe “FFM”. Në një deklaratë për “Fokus”, ai ka theksuar se prioritetet e programit të tij janë forcimi i kapaciteteve hetimore, hetimet financiare, forenzika digjitale dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.

Trajçe Pelivanov aktualisht punon në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup. Ai ka qenë më parë pjesë e Prokurorisë Speciale Publike, ndërsa në vitin 2022 ka drejtuar përkohësisht Prokurorinë për Krim të Organizuar, pas pezullimit të Vilma Ruskoskës. Në deklaratën për “Fokus”, Pelivanov ka vënë në pah përvojën e tij profesionale, ndërsa programi për drejtimin e institucionit është ende në përgatitje.

Lidija Raiçeviq ka përvojë shumëvjeçare në sistemin e prokurorisë. Ajo ushtron funksionin e prokurores publike që nga viti 2003, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka punuar në Prokurorinë për Krim të Organizuar. Aktualisht është pjesë e Prokurorisë Themelore Publike në Shkup.

Iskra Haxhi Vasileva është prokurore në institucionin që synon ta drejtojë. Ndër lëndët me të cilat është e angazhuar është edhe rasti kundër gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Gjoko Ristov.

Jovan Cvetanovski punon si prokuror në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup dhe ka më shumë se 25 vjet përvojë profesionale. Në opinion është i njohur edhe për trajtimin e çështjes së njohur si “Mazuti”.

Zgjedhja e drejtuesit të ri vjen në përfundim të mandatit të Islam Abazit, i cili mori drejtimin e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në vitin 2022. Pesë kandidatët do të garojnë për drejtimin e institucionit që ka rol të rëndësishëm në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të rënda kriminale dhe rasteve të korrupsionit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër