Pesë linja të reja ajrore këtë verë, Qeveria e RMV-së paralajmëron zgjerim të rrjetit të fluturimeve

Nga D. V.
315 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 maj, Zhurnal.mk – Edhe pse nuk u arrit marrëveshje me kompaninë ajrore me kosto të ulët Ryanair, Qeveria njofton zgjerimin e rrjetit të linjave ajrore dhe futjen e fluturimeve të reja nga aeroportet e Maqedonisë gjatë sezonit të verës.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, njoftoi se këtë verë do të vendosen pesë linja të reja ajrore nga Shkupi dhe Ohri, duke vlerësuar se vendi mbetet aktiv në fushën e trafikut ajror pavarësisht sfidave globale në industri.

Ai theksoi se shteti mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha linjat ajrore, por nuk do të pranojë kushte që, sipas tij, do të ishin të dëmshme për transportuesit e tjerë dhe interesat shtetërore.

“Ne ofrojmë subvencion prej 9 euro për çdo pasagjer të huaj në aeroportin e Shkupit dhe 12 euro për aeroportin e Ohrit. Nëse duan të marrin pjesë, dera është e hapur. Por nuk mund të pranojmë shantazhe dhe kërkesa për subvencione më të larta vetëm për një kompani”, tha Nikolloski.

Sipas njoftimeve, Austrian Airlines do të krijojë një linjë direkte Vjenë-Ohër, ndërsa fluturimet nga Krakow dhe Wroclaw për në Ohër do të fillojnë gjithashtu në qershor. Dy destinacione të reja fluturimi do të vendosen nga Aeroporti i Shkupit – Palermo në Siçili dhe Alghero në Sardenjë.

Nikoloski theksoi se Maqedonia është i vetmi vend në rajon që po hap linja të reja ajrore në një kohë kur industria globale e aviacionit po përballet me një krizë serioze.

Ministri informoi gjithashtu se Wizz Air do të stacionojë një aeroplan të shtatë në Aeroportin e Shkupit, dhe kompania po shqyrton gjithashtu krijimin e një baze në Aeroportin e Ohrit.

Lidhur me furnizimin me kerozinë, Nikoloski siguron se vendi ka rezerva mbi minimumin ligjor dhe se situata është e qëndrueshme, duke shtuar se disa nga aeroportet rajonale aktualisht furnizohen pikërisht nga Maqedonia./

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër