Petar Arsovski: Nuk është në rregull që Kodi Zgjedhor të miratohet pa opozitën, por edhe LSDM duhet të mendojë të kthehet prapa

Nga B.M
342 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 maj, Zhurnal.mk – “Kodi Zgjedhor teorikisht mund të miratohet edhe pa LSDM-në, por kjo nuk është mirë dhe duhet të bëhet përpjekje që të arrihet konsensus”, deklaroi për “Lokalno” analisti politik Petar Arsovski, lidhur me një nga temat më aktuale në opinionin publik gjatë periudhës së fundit dhe përplasjet në relacionin pushtet-opozitë, transmeton Zhurnal.mk.

Sipas tij, mungesa qoftë edhe e një partie opozitare mund ta dëmtojë kredibilitetin e këtij ligji. Por, njëkohësisht, ai shton se duhet pranuar se partitë shpeshherë e keqpërdorin pozitën e tyre dhe mund ta shndërrojnë këtë çështje në marketing ditor politik.

Ai shpjegon se në rastin e Kodit Zgjedhor, problem më i madh është mungesa e konsensusit mes partive për përmbajtjen e tij, sesa vetë mekanizmi i miratimit.

“Sa i përket asaj nëse ligji mund të miratohet pa LSDM-në, teorikisht mundet, por nuk do të ishte mirë dhe nuk do të fliste mirë për shtetin. Më mirë është të bëhet edhe një përpjekje për të arritur konsensus. Këtu vijmë te pika e tretë, që problemi më i madh është se partitë për momentin nuk kanë konsensus. U duk se të gjitha partitë pajtohen të ketë një njësi zgjedhore, por këtu shtrohet çështja nëse do të ketë prag zgjedhor apo jo. Sa do të jetë ai prag? Në thelb, ne nuk kemi konsensus mes partive rreth Kodit Zgjedhor, pavarësisht mekanikës së miratimit të tij”, deklaroi Arsovski.

Sipas tij, edhe më herët ka pasur raste kur një parti politike ka braktisur Kuvendin ose grupin punues dhe kjo deri më tani nuk i ka sjellë ndonjë përfitim asaj partie.

Lidhur me thirrjen e ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, që LSDM të kthehet në grupin punues për të respektuar afatet e agjendës reformuese dhe për të siguruar mjetet nga Plani i Rritjes, Arsovski deklaroi:

“Presioni që LSDM t’i bashkohet grupit punues do të rritet. Bashkësia ndërkombëtare gjithmonë preferon që ligjet të miratohen me konsensus dhe diskutim të hapur nëse ka mospajtime. Nuk është në rregull që Kodi Zgjedhor të miratohet pa opozitën, por edhe LSDM duhet të mendojë të kthehet prapa”, deklaroi Arsovski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër