Sofje, 8 tetor, Zhurnal.mk – Korridori 8 duhet të trajtohet si një projekt i vetëm strategjik për ndërlidhje dhe jo si një varg segmentesh të veçanta infrastrukturore. Kështu deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova, para Forumit Ndërkombëtar për Korridorin 8 në Sofje.
Sipas Petrovës, Bullgaria ka vullnet të qartë politik për përshpejtimin e punës për këtë projekt, i cili është me rëndësi thelbësore si për lidhjen me Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për ndërlidhjen me pjesën tjetër të Evropës, raportoi korrespondenti i BGNES.
“Korridori 8 është një projekt me rëndësi strategjike për ne dhe prej vitesh është një prioritet. Megjithatë, puna për të nuk ka avancuar gjithmonë me intensitetin e nevojshëm”, deklaroi Petrova.
Ajo theksoi se takimi në Sofje paraqet një mundësi për të ruajtur vrullin e nevojshëm politik, por edhe për të vlerësuar përparimin e projekteve dhe segmenteve të veçanta.
“Ky është një rast që, nga njëra anë, të ruajmë vrullin politik dhe, nga ana tjetër, të vlerësojmë qartë statusin e projekteve dhe segmenteve përkatëse. Dhe, së treti, nuk dua ta shohim atë vetëm si një seri projektesh dhe segmentesh të vogla, por si një korridor të vetëm dhe të madh, i cili duhet të përfundojë”, theksoi ministrja e Jashtme bullgare.
Petrova e vendosi Korridorin 8 edhe në një kontekst më të gjerë të ndërlidhjes evropiane në aspektin e transportit dhe ekonomisë. Ajo bëri të ditur se vitin e ardhshëm Bullgaria do të jetë nikoqire e një samiti kushtuar ndërlidhjes, me fokus te Korridori i Mesëm.
“Kur Korridori i Mesëm të arrijë në Bullgari, ai duhet të fillojë të na lidhë edhe me pjesën tjetër të Evropës, edhe me Ballkanin Perëndimor. Korridori 8 siguron pikërisht atë lidhje që mund ta kemi me vendet e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, është e rëndësishme të mos e neglizhojmë punën për të”, tha Petrova.
