Pirdeni: Reforma në administratë, prioritet absolut drejt Shqipërisë në BE

Nga D. V.
417 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni e konsideroi sot prioritet absolut rrugëtimin drejt administratës 2030, që e përgatit Shqipërinë si anëtare të Bashkimit Europian.

Pirdeni prezantoi para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ecurinë e reformës në administratën publike, si dhe masat kryesore që po ndërmerren për parandalimin e korrupsionit.

Ministrja solli në vëmendje vlerësimin shumë pozitiv të SIGMA-s për performancën e administratës publike, që e rendit Shqipërinë qartazi si vendi lider në rajon.

“Bëhet fjalë për katër fusha të administratës publike, konkretisht: menaxhimi i financave publike, menaxhimin e burimeve njerëzore në fushën e digjitalizimit të shërbimeve publike sikurse edhe në fushën e koordinimit të politikave”, u shpreh Pirdeni.

Sipas saj, veçanërisht nga SIGMA është vlerësuar reforma e pagave, e cila përbën ndërhyrjen më të thellë strukturore për t’i dhënë dinjitet çdo nëpunësi civil.

“Kjo është një reformë që vendos një model të qartë karriere të bazuar mbi shpërblim, mbi njohje të aftësisë në punë dhe mbi të gjitha duke mbajtur premtimin për të rishikuar herë pas here sistemin e pagave”, u shpreh Pirdeni.

Paralelisht, Pirdeni theksoi se është vijuar me përpjekjet për inovacion në administratë me qëllim gjenerimin automatik të të dhënave të gjithë punonjësve të administratës.

Prioritet kryesor, sipas ministres Pirdeni, është shndërrimi i administratës në një punëdhënës konkurrues me një model të ri të rishikuar të rekrutimit dhe vlerësimit që garanton më shumë transparencë si dhe matje të performancës së administratës.

“Synojmë ripozicionimin strategjik të administratës si një zgjedhje për karrierën dhe tërheqjen e të gjithë profesionistëve me profile prioritare për integrimin e vendit përmes iniciativës ‘Karriera jote, e ardhmja e Shqipërisë europiane’”, tha Pirdeni.

Gjithashtu, Pirdeni njoftoi krijimin e një portali tërësisht të rishikuar të punësimit në administratë në bashkëpunim me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit.

“Paralelisht në 6-mujorin e parë do të mbyllim përfundimisht procesin e vlerësimit të të gjithë kapaciteteve tona institucionale për t’u përballur me procesin e negociatave. Kjo nënkupton identifikimin e sektorëve ku ne kemi mjaftueshëm ekspertizë dhe atyre ku kemi ende boshllëqe për të mbushur, sidomos përmes krijimit të strukturave të reja ose kapaciteteve të tjera shtesë me një fokus të veçantë optimizimin e burimeve dhe jo shtimin e pakufishëm të punonjësve të administratës”, u shpreh ajo.

Qëllimi, sipas ministres Pirdeni, “është të kalojmë nga një administratë që negocion, në një administratë që përgatitet të zbatojë legjislacionin e BE-së”.

Në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe integritetit, Pirdeni theksoi se “qëllimi ynë është i qartë dhe i pa kompromis, korrupsioni luftohet duke reduktuar çdo ditë mundësinë që ai të ndodhë në praktikë”.

“Fokusi ynë mbetet parandalimi i korrupsionit ku suksesi nuk matet vetëm me numrin e të hetuarve dhe të dënuarve, pasi kjo është detyrë e organeve ligjzbatuese por me numrin e rasteve që nuk ndodhin në praktikë për shkak të sistemeve që bëhen gjithnjë e më rezistete”, tha Pirdeni.

Prioritet i këtij viti, sipas ministres Pirdeni, është parandalimi i korrupsionit në mënyrë sistemike në sektorët më vulnerabël ndaj korrupsionit.

“Ne kemi evidentuar sektorët kryesorë që meritojnë vëmendje të veçantë si sektori i pronave, i shëndetësisë, tatime-dogana, arsimi dhe prokurimet publike”, tha Pirdeni.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër